Qeveria do t’u ofrojë qytetarëve trajnime falas për punë me kompjuterë

Qeveria do të sigurojë trajnime falas për të gjithë qytetarët për njohuri themelore nga teknologjia infromatike (TI), punë me kompjuterë dhe internet, si dhe trajnime falas për të papunët për dy pako programore më të avancuara, disenj grafik dhe zhvillues të web-it në Java (Java web developer), njoftoi zëdhënësi i qeverisë, Aleksander Gjeorgjiev.

Ai tha se qëllimi i të dy projekteve është të rriten njohuritë informatike të qytetarëve në vend si një hap më shumë drejtë përmirësimit të konkurrencës së tyre dhe gjetjen më të lehtë të punës apo hapjen e biznesit personal.

Konkursi për njohuri themelore nga TI-ja përfshin dy module, punën në zyrë dhe  shfrytëzimin e internetit (web kërkues, postë elektronike, Skype, forum dhe blog). Modulet do të zbatohen në katër seanca të ndara brenda katër javëve.

“Çdo seancë do të zgjasë një orë e tridhjetë minuta, ndërsa trajnimi  do të zhvillohet në internet klubet pa pagesë në 22 qytete, Shkup, Manastir, Tetovë, Ohër, Prilep, Gostivar, Kërçovë, Negotinë, Kumanovë, Koçan Shtip, Sveti Nikollë, Dibër, Radovish, Gjevgjeli, Krushevë, Makedonski Brod, Demir Kapi, Kriva Pallankë, Kratovë dhe Resnjë”, theksoi Gjeorgjiev.

Në qytetet, ku të paktën 20 për qind e qytetarëve janë të përkatësisë etnike që nuk është shumicë, trajnimi, përveç në gjuhën maqedonase do të zhvillohet edhe në gjuhën e nacionalitetit.

Thirrja e dytë e cila u dedikohet të papunëve është në suaza  të Planit operativ për masa aktive për punësim.

“Agjencia për punësim këtë muaj do të fillojë procedurë për sigurimin e ofruesve që do ta kryejnë trajnimin, e më pas, në gjysmën e dytë të shtatorit, do të shpallet thirrje publike për të papunët të cilët dëshirojnë t’i ndjekin trajnimet”,  informon zëdhënësi qeveritar.

Të drejtë pjesëmarrje kanë të gjithë personat e papunë të evidentuar në agjenci, por do të bëhet kontroll nëse ndonjëri prej tyre ka ngelur pa punë në tre muajt e fundit. Përparësi do të kenë të papunët me njohuri  të përparuar nga sfera e teknologjisë informatike. Kohëzgjatja e trajnimit do të jetë katër muaj, ndërsa do ta realizojnë ligjërues profesional. Certifikata e fituar e të papunëve  do t’ua lehtësojë pjesëmarrjen në tregun e punës. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button