(VIDEO) Konferenca për e-shoqëri, si të realizojmë të drejtat tona dhe të mbrohemi në Internet

Mbahet konferenca e dhjetë ndërkombëtare e-Shoqëri.mk, në organizim të fondacionit Metamorfozis. Kjo është konferenca e dhjetë jubilare ndërkombëtare e-Shoqëri.mk, e cila këtë vit është në temën: “Të drejtat e njeriut në internet – Liria e të shprehurit, gjuha e urrejtjes dhe privatësia në botën digjitale”.  Gjatë konferencës u prezantua edhe aplikacioni për celular kundër gjuhës së urrejtjes në Internet.

“Arsyeja pse i kemi zgjedhur këto tema është se mendojmë që në Maqedoni ka nevojë të diskutohet për lirinë e shprehjes dhe jo vetëm të diskutohet por edhe të punohet më shumë se lëmitë e tjera. Këtë  them pasi që e dimë se liria e shprehjes në Maqedoni shënuar rënie dhe interneti ka mbetur mediumi i vetëm në të cilin qytetarët mund të shprehen lirshëm dhe ku ende ka hapësirë për qytetarët të marrin pjesë në diskutime mbi çështjet relevante dhe aktuale në Maqedoni.” tha drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari.

“Sot më shumë se një miliardë njerëz janë të lidhur në internet. Qasja në internet duhet të konsiderohet si e drejtë themelore njerëzore dhe të gjithë ne duhet ta mbrojmë. Të dhënat tona personale janë vërtet të vlefshme ndërsa edhe hapësira e lirisë individuale duhet të mbrohet. “tha ambasadorja e Francës në Maqedoni, Lorens Oer.

“Kur jemi të kyçur në internet duhet të kemi shumë kujdes për hapat tona. Njerëzit regjistrohen dhe përdorin shërbime dhe aplikacione duke mos i lexuar aspak të drejtat dhe obligimet e tyre. Duke mos e ditur se çfarë pranojnë dhe cilat të dhëna ua merr ky aplikacion. Trajnimet si ky i Fondacionit Metamorfozis janë më se të dobishme për ngritjen e vetëdijes së njerëzve” tha ministri i informatikës dhe administratës, Ivo Ivanovski.

“Pa liri të shprehjes nuk mund të kemi një sistem të mirëfilltë shtetëror. Liria e shprehjes është themel i demokracisë tha Robin Lidël nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Maqedoni.

Konferenca trajton tema siç janë liria e të shprehurit dhe të rinjtë, gjuha e urrejtjes në internet, privatësia, si dhe përfundime dhe rekomandime me qëllim të ndërmarrjes së hapave të ardhshëm.

Konferenca realizohet në kuadër të Projektit për bashkëpunim të decentralizuar ndërmjet Rajonit të Normandisë së Ulët dhe Republikës së Maqedonisë, dhe në bashkëpunim me Institutin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut nga Kaeni, dhe paraqet vazhdim të bashkëpunimit shumëvjeçar të fondacionit Metamorfozis dhe rajonit të Normandisë së Ulët në fushën e të drejtave të njeriut.

Konferencën mund ta ndiqni në kohë reale në vozivo.mk ndërsa hashtagu për Twitter është #esociety14 /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button