fbpx

NDJENJË VETËSHKATËRRIMI

Në një ditë të zakonshme, në prag fundviti, u shpërnda kumti për stemën e re, me sfond të verdhë e me luanin e kuq të egërsuar. Sipas fjalorit të simboleve luani shpreh fuqinë, bashkimin, pavdekësinë dhe lidhjen me të kaluarën mijëvjeçare.

Kumtit që erdhi befas, i shoqëruar me tensione, por edhe me gallatë, nuk i parapriu asnjë debat publik, nuk ishin konsultuar ekspertët e heraldikës shqiptare, ndonëse diskutimi mbi këtë temë ka qenë i përhershëm dhe shumë i ndjeshëm.

Politikanët shqiptarë thanë se luani është edhe simbol yni. U shumëfishua stema e princit me gjak shqiptaro – francez, Karl Topisë, por shumëfishuesit, si duket, nuk e njihnin historinë e kësaj steme, të cilën deshën ta krahasonin me atë të partisë – shtet.

Me lehtësinë e papërballueshme u shfaqën ekspertë fortafolës, të jashtarsyeshëm,  që u dolën në mbrojtje princave të cilët ofrojnë skllavëri të vetëzgjedhur dhe cubnisht të fusin labirinteve që çojnë drejt askundit.

Ekspertët fortafolës deshën ta paketonin historinë e fituesit si histori të vërtetë. Historia e fituesit flet për ngjarjet që nuk kanë ndodhur dhe është manipulim me të kaluarën për ta pushtuar të sotmen. Është fshirje kujtese për të dominuar të sotmen e të ardhmen. Ekspertët e këtillë kënduan ninanana, por jo të gjithë janë arinj, prandaj tentimi për ta imponuar stemën e re nuk kaloi në heshtje, për sa kohë është zgjidhje e kurrfartë.

Sipas semiologjisë kodet shoqërore i japin kuptim jetës shoqërore. Në shoqëri të lira e demokratike kodet e këtilla nuk mund të ndryshohen brenda natës. Stemat e flamujt, si shenja identiteti, kanë funksionin e të shprehurit të organizimit shoqëror dhe raporteve të njeriut me grupin. Pra grupi duhet të identifikohet me shenjat e këtilla. Nëse nuk identifikohet, atëherë ngjallet refuzimi e kundërshtimi. Që të mos ngjallet zemërata duhet gjetur zgjidhje të gjithëpranueshme.

Kur janë në pyetje shenjat identitare nuk mund të vendosin ngutshëm as partitë që e kanë shumicën. Për shenjat identitare pyeten jo vetëm të gjallët, por mendohet se çfarë do të kishin thënë edhe të vdekurit. Kur ka ngutje, kur ekspertët e drejtësisë bëhen ekspertë të heraldikës e historisë, atëherë ngjallen dyshime për mashtrime të mëdha.

Politikanët shqiptarë do të ishin shumë më bindës sikur të thoshin me sa vijon: “Përse luani, ky mbret i xhunglës, të mos jetë në stemë? Kush më mirë se sa ai do ta simbolizonte xhunglën me mbret, që i thonë republikë dhe me makina elektorale, që votojnë një ditë dhe shajnë gjithë ditët tjera”?

Nuk është kohë e përshtatshme për shaka, por duhet pasur ndjenjë humori, nëpërmjet të cilit t’i themi gjërat më të trishta. Sa për humor propozoj që shtetin, të cilit i ngutet të ketë stemë të re, ta quajmë Catoblepas. Ta pagëzojmë, pra, me emrin e krijesës mitologjike, me prirje vetëshkatërruese, e cila padukshëm e ha veten.

Një shtet me shumë kombe e kultura nis e han vetveten kur nxit tensione ndëretnike, sa herë në horizont shfaqen afera të mëdha. Por loja me shenjat identitare është e rrezikshme dhe e paparashikueshme.

Nuk shquhem për parashikime profetike, sepse jam njeri i zakonshëm, por e di se çdo stemë që do të aprovohet pa dëshirën e shqiptarëve do të prodhojë pasoja që do të duhen vite për t’i riparuar. Aq më shumë kur politika shqiptare e kishte refuzuar këtë stemë edhe atëherë kur shqiptarët e Maqedonisë nuk kishin përvojë në politikë dhe kur ariu i tërbuar verior ishte më i fuqishëm se kurrë.

E ndoshta gjithçka bëhet për të krijuar zhurmë.

Në ditët e zakonshme, në vijim, nuk përjashtohet zhurma, e cila do të shtohet për sa kohë jeta bëhet njëfarë xhungle, ku dihet gjithçka dhe asgjë nuk merret vesh.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button