Besa: Dikush hedh gurin dhe fsheh dorën me sulmet në stacionet policore

Në sulmet e mbrëmshme të bëra ndaj stacioneve policore në Tetovë e Kumanovë Lëvizja BESA lexon synime për ta hedhur gurin e për të fshehur dorën. Ndërkaq, duke pasur përvojën e hidhur që në shtetin tonë disa herë këto faje u janë përshkruar shqiptarëve dhe, madje, ata i kanë vuajtur dhe po i vuajnë edhe sot më së shumti këto veprime,.

BESA konsideron se mos zbardhja e shpejtë e këtyre rasteve, si dhe mos gjykimi i drejtë dhe i paanshëm i atyre autorëve, do të ngrejë edhe më shumë dyshime dhe do ta thellojë edhe më shumë mosbesimin ndërmjet komuniteteve në vendin tonë.

“Me këtë rast Lëvizja BESA nuk mund të mos shfaq brengën e thellë që partia shqiptare në pushtet edhe kësaj radhe do t’i fusë veshët në lesh dhe do të shtiret se nuk ndodhë asgjë, njësoj si më parë me  Sopotin, Brodecin e Monstrën”, thuhet në komunikatën e kësaj Lëvizje.

BESA është e shqetësuar se dikush në këtë shtet përsëri dëshiron t’i përdor shqiptarët si mish për top për t’i fshehur “bombat” politike, për ta kaluar stemën partiake si simbol shtetëror, për ta amortizuar  pakënaqësinë studentore, për t’i fshehur krimet dhe diskriminim, për t’u rikthyer detyrimisht në pushtet ose për ta tej zgjatur pushtetin.

“Të gjendur në këtë situatë, veçmas sot kur në mbarë botën e qytetëruar shënohet Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, Lëvizja BESA tërheq vërejtjen se Maqedonia le që tashmë është ndër vendet më të famshme për mosrespektimin e të drejtave të njeriut, por ajo po bëhet epiqendër e diktaturës, diskriminimit etnik, religjioz e qytetar, që këtë vend po e kthen në gjirin e vendeve që sot shquhen në botë për shkelje flagrante të të drejtave të njeriut”, thuhet në komunikatë.

Prandaj, Lëvizja BESA u bën thirrje të gjithë faktorëve relevantë vendorë e ndërkombëtarë që ta kuptojnë seriozisht këtë alarm sa nuk është bërë krejt vonë dhe e pamundur që kjo situatë të riparohet. Në të kundërtën BESA do t’i japë të drejtë vetes të konsiderojë se pushtetit, maqedonasve dhe shqiptarëve bashkë në të, i leverdis diskriminimi, konfliktet si ato të nxitura mbrëmë dhe, në përgjithësi, tensionimi ndëretnik në këtë vend.

Lajme të ngjashme

Back to top button