Një monument për Marrëveshjen e Ohrit

Në euforinë e rishkrimit të historisë dhe maskimit të dështimeve aktuale me madhështitë e dyshimta të të kaluarës, është e udhës të kemi një monument për Marrëveshjen kornizë të Ohrit. Dymbëdhjetë vite pas nënshkrimit, ajo i përmbush të gjitha kriteret e pashpallura për ngritjen e instant monumenteve – e kontestuar historikisht, me plot kundërthënie dhe pafund shumë e manipuluar.  

Ngritja e monumentit do ta pasqyrojë në radhë të parë mënyrën në të cilat i trajtojmë marrëveshjet. Shqiptarët në opozitë e varrosën pas rënies nga pushteti, ndërsa ata në pushtet e vjelin për punësime plot intriga e korrupsion. Partia e Kryeministrit, nga ana tjetër, as që e zë në gojë. Me kaq shumë dyshime, fotografitë e çastit do ta pasqyrojnë dështimin dhe mundësinë e huqur për të krijuar një shtet sagllam, demokratik dhe me barabarësi për të gjithë. Të huajve, qofshin turistë ose komisarë politikë, monumenti do t’ia tregojë kapacitetin e munguar të udhëheqësve të vendit, që ëndërron të merret vesh me 28 shtete në Bruksel, por nuk ia del të akordohet as brenda mëhallës së quajtur Maqedoni.

Shoqërisë në përgjithësi, do t’ia përkujtojë ndarjen e thellë në të gjitha bazat, duke i dhënë një mundësi takimi realiteteve të shumta paralele. Nga aspekti historik, monumenti do të jetë pasqyrim për krahasimin e të vërtetave (se për harmonizim as që bëhet fjalë), ndërsa e vërteta e vetme se çka saktë dhe pse ka ndodhur mbetet e panjohur. Në fakt, kështu mund të jetë më mirë, duke e ditur kapacitetin e politikanëve për falsifikimin bizar të fakteve historike – të aplikuara nga zyrtarët maqedonas që i shesin kriminelët e dëshmuar të luftës si heronj, ose udhëheqësit shqiptarë që e monopolizojnë historinë me pohime qesharake se Shkupi nuk ka guxuar të flasë shqip para vitit 2001.

Monumentit të Marrëveshjes nuk i nevojiten mbishkrime, meqë rrallë kemi diçka të shkruar që nuk manipulohet në të gjitha nivelet e mundshme. Heshtja e këtillë do të flet edhe për racizmin gjuhësor në sferën publike dhe zyrtare, për klimën ku maqedonasit nuk kanë aspak dëshirë, aq më pak mundësi për ta mësuar gjuhën e bashkëqytetarëve, madje as aty ku nevojitet për jetën e përditshme. Mungesa e mbishkrimit do ta pasqyrojë edhe kopjimin shkallëzor të kësaj tendence dështake nga shqiptarët, me arsyetimin shkurt-pamës se nuk ju nevojitet njohja e gjuhës zyrtare të Maqedonisë. 

Mbi të gjitha, mungesa e mbishkrimit do ta vijojë modelin kolonialist të aplikuar nga pothuajse të gjitha kompanitë maqedonase në zonat ku dominon gjuha shqipe. Për shembull, një pikë karburanti e Makpetrollit e respekton logjikën e tregut me reklamat në greqisht në pikëkalimin kufitar jugor, por as gabimisht nuk vendos ndonjë mbishkrim shqip në Tetovë ose Dibër. Këtu, mund të vijë në ndihmë shkathtësia e qeveritarëve shqiptarë, që jetojnë në iluzione se shqipja është zyrtare përtej gardhit partiak. Kreativitet se jo mahi, që tashmë dëshmohet me modelin që duhet patentuar – nënshkrimin e dokumenteve zyrtare në gjuhën maqedonase me emrat e efektivëve shqiptarë të shkruar në alfabet latin. Një mishmash i gjuhëve që flet shumë për bashibozukun institucional dhe paaftësinë politike. 

Buxheti nuk duhet të jetë problem, aq më tepër kur shifrat e mermerit dhe bronzit kanë karakter të sekretit më të lartë shtetëror. Pas tre monumenteve shqiptare të dedikuara për ta mbuluar turpin e Shkupit 2014 si gjethe fiku, VMRO-DPMNE mund ta kalojë lehtësisht buxhetin vjetor në Kuvend pa asnjë kundërshtim të xhunior-partnerit pasiv, që e dëshmoi virtytin e heshtjes gjatë dajakut institucional të dhjetorit. Meqë ka motive Ohri, mund të llogaritet edhe në donacionet e ndonjë biznesmen indian me nam botëror, për t’i simbolizuar investimet e huaja që vërshojnë gjithandej.    

Në rast të vështirësive ose mospajtimeve brenda Qeverisë për monumentin, mund të ushtrohet disiplina e vizitave tek partnerët e huaj ose shkrimit të letrave për ish-zyrtarët tashmë të pensionuar. Mungesës eventuale të mjeteve i bëhet çarja me disa road-show në Novosibirsk ose Guxharat, pa shumë detaje për realizimin e premtimeve. Për t’i kompletuar të gjitha, për fund duhet përkujdesur që ky monument madhështor të bekohet nga të gjithë përfaqësuesit fetarë, pavarësisht faktit që Kryeministri Nikolla Gruevski e theu traditën e krijuar dhe për arsye të panjohura nuk shtroi iftar sivjet.   

Për fund, mbetet pikëpyetje lokacioni i monumentit, por për këtë mund të përkujdesen grupet e punës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button