Qeveria spiunon qytetarët e Maqedonisë

Grupi hulumtues Citizen Lab nga Universiteti i Torontos, kohë më parë ka publikuar të dhëna për një program të quajtur “FinFisher”, që thuhet se e shfrytëzojnë 11 shtete, duke përfshirë edhe Maqedoninë. Sfera digjitale dhe e Internetit, hapën mundësi të reja për përgjimin dhe mbledhjen e të dhënave, për të cilat në publik shumë pak dihet. Sipas hulumtimit, programi “FinFisher” mundëson qasje në sistemin e shfrytëzuesit dhe bën monitorimin e komunikimit të tij nëpërmjet internetit. Për shembull, çfarë shkruani në tastierë, depërtim me të gjitha fjalëkalimet në kompjuter dhe telefonin celular, depërtim në kamerën dhe mikrofonin tuaj, pa e ditur përdoruesi.

Institucionet e Maqedonisë nuk kanë të dhëna për punën e shërbimeve në këtë fushë, shkruan Deutche Welle.

Monitorimi i komunikimeve në Maqedoni, me ligj është rregulluar në vitin 2006. Komisioni parlamentar për mbikëqyrje ndaj zbatimit të masave për monitorim të komunikacioneve nga ana e Ministrisë së punëve të brendshme dhe Ministrisë së mbrojtjes, është i autorizuar të kontrollojë ligjshmërinë e monitorimit të komunikacionit.

Tito Petkovski: Komisioni nuk ka fuqi
Kryetari i Komisionit, Tito Petkovski, në një deklaratë për Deutsche Welle, ka theksuar se Komisioni nuk është në gjendje që ta kryejë kontrollin e duhur, sepse nuk ka qasje deri tek dokumentacionet për monitorim të komunikacioneve nga ana e policisë.
“Qeveria nuk lejon depërtim në asnjë dokumentacion në lidhje me monitorimin e komunikacioneve. Komisioni nuk ka fuqi. Kur unë, si kryetar i Komisionit kërkoj shikim të dokumentacionit, qeveria këtë e sheh si tentim për promovimin tim personal. Ngjarja me Lube Boshkovskin, ka konfirmuar se qeveria nuk është e gatshme që Komisioni të kryejë mbikëqyrje në ndjekjen e komunikimeve.Kur këtë e kërkuam nga MPB-ja, përgjigja e tyre ishte se nuk ka ndonjë ndjekje të komunikimeve ndaj asnjë qytetari”, thotë Tito Petkovski.

Për këtë deklaratë, Deutsche Welle kërkoi përgjigje nga Ministria e punëve të brendshme: “Policia i respekton të gjitha institucionet dhe organet shtetërore dhe deri tek ato i ofron të gjitha informacionet që duhet të ofrohen”, thotë zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.

A ka të bëjë ligji me mbrojtjen e të drejtave njerëzore?
Në shtator të vitit 2012, është bërë miratimi i ndryshimeve dhe shtimeve në Ligjin për përgjimin e komunikimeve. Në raportin e BE-së për Maqedoninë, në vitin 2011, thuhet se nevoja për ndryshimet në këtë ligj është bërë për shkak të përzierjes direkte të Ministrisë së punëve të brendshme në mbikëqyrjen e miratimit për përgjimin e komunikacioneve. Kështu, me ndryshimet e reja mundësohet që  propozimi për përgjim deri tek Prokurori Publik, në vend se të bëjë nga ana e Ministrisë së punëve të brendshme, të bëhet nga ndonjë nëpunës i MPB-së.

Organizatat jo qeveritare, atëherë shprehën shqetësim se ndryshimet në ligj do të jenë të keqpërdorura nga ana e qeverisë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button