Pse vjen Jahjaga në Tiranë!

Është bërë e njohur tani që, në datat 17-19 dhjetor, Presidentja e shtetit të Kosovës, Atifete Jahjaga, vjen për një vizitë zyrtare në Tiranë. Një nga eventet e kësaj vizite, sigurisht do të jetë fjalimi dhe përshëndetja e saj në Parlamentin e Shqipërisë. Këtë herë me siguri, deputetët shqiptarë, do të mblidhën bashkë, që jo vetëm të respektojnë me ndjesi kombëtare një Presidente shqiptare, por dhe ta thonë hapur para opinionit shqiptar dhe faktorit ndërkombëtar, pse janë në mëri politike me njeri tjetrin.

Prania sëbashku në Parlament, qoftë dhe për një ditë, apo për një ore, do të legjitimojë praninë e opozitës shqiptare, në të kundërt, pasoja mund të jetë e pakthyeshme. Pas një periudhe 6 mujore të bojkotit, vendi mund të rrezikojë dhe të kalojë në zgjedhje të parakohëshme. Në krizën parlamentare, kushdo mund të kërkojë dhe dijë dhe të shikojë, a ka realisht opozitë në politikën shqiptare?

Gjykojmë se, rikthimi, qoftë dhe për një ditë, do t’i sigurojë paprekshmërinë opozitës shqiptare. Mund të rikthehen për një ditë dhe vazhdojnë bojkotin për 6 muaj të tjerë. Kjo nuk është ndonjë çudi, kur në partinë më të madhe opozitare, deri tani shfaqen deputetë “rreshti dhe diktati”. Edhe kjo mund të ndodhë. Mungesa e saj brenda institucioneve shqiptare, është e papranueshme edhe për faktorin ndërkombëtar.
Me këtë rast, le të shikojmë pak përtej murit të politikës shqiptare, të saj që nuk duket, por që ndjehet nga elektorati shqiptar. Sinjali i rikthimit të Sarkoxisë në Francë, dhe nxitimi i Holland për në Moskë, në zgjidhjen e krizës Rusi – BE, është një synim ndodhta edhe për politikën shqiptare. Pushteti politik në këto kushte bojkoti rrezikohet të bjerë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohëshme. Urojmë që kjo të mos ndodhë.

Çfarë fshihet pas murit të politikës? A do të ndëhyet për kapërcimin e krizës politike parlamentare? A e dëshirojnë realisht Edi Rama, Ilir Meta, PS-ja dhe LSI-ja rikthimin e opozitës në Parlament? Sinjalet mund të jetë positive, por mund të mos jenë dhe të tilla. Mirë po bëhet që po rikonstruktohet “kulla” në Vuçidol.

Kriza politike parlamentare tregon se, zgjedhjet e 23 qershorit, shfaqen të manipuluara. Qeverisja e vendit shfaqet jo vendimarrëse dhe me duar të lidhura. Koalicioni politik me LSI-në, po shfaqet si një fantazëm politike e pushtetit, pa forcë vepruese. Elektorati shqiptar ndihet i dyzuar. Cili është roli i LSI-së në krizën parlamentare dhe si arriti ajo të marrë 11 deputetë më shumë? Nga doli ky “burim votash” për këtë parti, e cila nuk ka shkuar përtej numrit 5-ë? Duke analizuar qeverisjen e mëparëshme me aleatin e saj të vjetër dhe praninë e saj sot në pushtetin politik me PS-në, në opinion po kristalizohet mendimi se, ku shkel LSI-ja, nuk mbin më bari. Kryeministri shqiptar rezulton në misionin e tij me duar të lidhura, edhe pse në vetëdijen e tij institucionale, ka ide shumë të mira për ecurinë e vendit, ndonjëherë edhe “çmendurira” të domosdoshme. Aktualisht, gjykojmë se, pushteti politik është ende në duart e PD-së dhe LSI-së.

Deri tani nuk ka asnjë nismë me karakter kushtetues, kur në Parlamentin e Shqipërisë kanë kaluar dokumente shumë të rëndësishme kushtetuese. Miratimi i tyre është bërë në kundërshtim me nene të Kushtetutës së Shqipërisë. Kryetari i Shtetit rezulton i pozicionuar politikisht, në dëm të interesave të vendit dhe të unitetit kombëtar. Koalicioni qeverisës, shfaqet si një martesëe politike e detyruar. Kostumi politik i Edi Ramës, nuk e kalon dot “urën e Tabakëve”. Nuk mjaftojnë vetëm idetë, por duhen mekanizmat institucionalë për t’i vënë ato në zbatim. Ngërçin po e shikojmë në sitemin e drejtësisë, në mediat shqiptare, në organin e Akuzës, në elementët e Sigurisë Kombëtare, në sistemin bankar, në trafikimin e deputetëve, në vet pamundësinë për të mbledhur paratë e munguara, të cilat janë këtu në Shqipëri, në pamundësinë për të goditur në nerv dhe në rrënjë korrupsionin e thellë social politik dhe ekonomik në jetën shqiptare. Drejtoritë kryesore të ekzekutivit shqiptar, ku janë paratë më të shumta të buxhetit, sot i ka nën juridiksion LSI, kjo parti e bisnësit familjar, që ska të ndalur në makutërinë e saj.

Me shumë mund, atje ku PS ka ushtruar autoritetin e saj politiko administrative, ka arritje të dukëshme. Këtë mund ta themi për sistemin e Doganave, në rregullimin e situatës në sektorin energjitik, kundër kasapanës që është bërë në situatën urbane, përjekjet për normalizimin e sistemit arsimor, orientimi drejt prodhimit bujqësor, mbyllja e deformimeve dhe boshllëqeve të sistemit të infrastrukurës, të lëna peng nga qeverisja e mëparëshme, rritja e arkëtimeve ndaj debitorëve etj. Kjo ambicje shtetërore në interes të qytetarëve, e ka ngërçin e saj në bojkotin e Parlamentit dhe pamundësinë e vendimarrjeve më karakter kushtetues. Sa do të vazhdohet kështu dhe si do ta gjejë zgjidhjen partia fituese në zgjedhejt e 23 qershorit?

Por në politikë gjithçka është e mundëshme, edhe kur mendojmë se ndonjëherë duhet ecur në vijë të drejtë, për interesat e qytetarëve. Këtë tendencë e shikojmë tek deputetët “rrebel” të PD, të cilët po thyejnë urdhërat e qendrës. A do të shkojnë ata në parlament pa lejen e Sali Berishës? Kush beson sot se shkaku i largimit të opozitës nga parlamenti na qenka “rrahja e Strazimirit”?! Ku do të shpalos opozita qëndrimet e saj politike, përveçse në Parlament? Ku do ta dëgjojë populli opozitën e tij përveçse në Parlament? Dorëzimi i projekt ligjit për hapjen e dosjeve, po shfaqet si një hakmarrje e drejtëpërdrejtë, për gjithçka që po ndodh sot brenda opozitës shqiptare, veçanërisht PD-së.
Jemi në një realitet që del midis asaj që del nga vendimarrja politike dhe asaj që ndjehet realisht brenda saj. A do të kenë kurajo përfaqësuesit e vijës “rrebele”, që ndjejnë pasigurinë brenda PD-së, që të jenë të pranishëm në Parlament? A do të ketë forcë korenti anti-Basha, të dalë tashmë hapur brenda PD-së? Si mund të rrëzohet politik monopol i Ilir Metës? A do të funksionojë edhe këtë herë parrulla politike, “kalo urën”?!

Gozhda del me gozhdë. Luanët pjellin luanë dhe jo këlysh masesh, as hiena. Nuk mund të funksionojë më në politikën shqiptar paradigma: gjarpëri që nuk më ha mua, le të rrojë sa të dojë. Në pushtetin politik në Shqipëri, nga selia me tre gërma po del erë e keqe. Asgjë në këtë politikë nuk është rastësi, as ardhja e Jahjagës në Tiranë, e cila ka marrë përsipër, sikur dhe një orë të vetme të bëjë bashkë në Parlament spektrin politik shqiptar. Ja për këtë vjen Jahjaga në Tiranë.

Ajo që duam të themi thjështë dhe në mënyrë të hapur, qëndron në faktin se, jeta politike parlamentare në Shqipëri, nuk mund të ecë më në këtë rrugë. Shqipëria ka 24 vitë që vuan të njëjtat fenomëne konflktualiteti midis të dy krahëve dhe në çdo rast, këtu e humbur ka dalë Shqipëria me qytetarët e saj. Mjaftë më. Elektorati fitues i 23 qershorit kërkon zgjidhje dhe jo zgjedhje, kërkon stabilitet në Shqipëri, larg konfliktualitetit ekstrem që prodhon vetëm ndasi dhe urrejtje. Nëse politikanëve dhe shtetarëve, nuk u bëhet vonë për këtë situatë, dhe po ambjentohen me krizën, me sa kuptojmë, vetë kriza ka filluar të trokasë në vetëdijën qytetare, për një reagim të mundshëm, jo më për Qyqen dhe qyqarët, por për interesat qytetare.

Qyqja ka lëshuar tinëz vezët në folenë e PS, dhe tani po kërkon zogun e saj. Ku-ku, ku-ku, ku-ku……..

Lajme të ngjashme

Back to top button