Treni nuk i plotëson as kushtet elementare për udhëtim (FOTO)

Transporti hekurudhorë në vend nuk është në kushte të mira dhe këtë e dëshmon prezenca e paktë e udhëtarëve që çdo ditë shfrytëzojnë trenin e drejtimit Kërçovë – Shkup dhe anasjelltas. Të gjithë trenat ekzistues janë të vjetër me dhjetëra vite dhe dikur kanë qenë pronë e Ish-Republikës Federale të Jugosllavisë.

Kërçova ka me qindra studentë në universitetet në Shkup dhe në Tetovë dhe ato pohojnë që, edhe përkundër çmimeve më të larta, gjithmonë shfrytëzojnë autobusët për transport deri në qytetin ku ato studiojnë duke mos dashur të udhëtojnë me tren për shkak të kushteve aspak të mira.

“Kur treni u rilëshua në funksion pas një pauze të gjatë, studentët e shfrytëzonin më shumë sepse udhëtimet ishin më interesante dhe kushtonin shumë më lirë. Tash nuk e përdorim shumë trenin sepse çmimi i biletave është gati i njëjtë si i autobusëve. Kushtet e trenave janë katastrofë, papastërti e madhe dhe vendet nuk mjaftojnë për udhëtarët. Ekzistojnë dhoma që shkruajnë “për të punësuarit”, Brenda s’ka asnjë njeri kurse ne të tjerët rrinim në këmbë. – thotë Jetmire Ismaili nga Kërçova, studente në Shkup.

Udhëtarët pohojnë që shpesh e kanë ndjerë veten në rrezik kur nga numri i madh i udhëtarëve, nga pamundësia për tu futur brenda, ju është dashur të qëndrojnë në hapësirën mes dy vagonëve.

“Përveç që kjo gjë ishte e rrezikshme, aty ishte edhe ftohtë. Ishte një hapësirë jo e izoluar dhe për një orë udhëtim deri në Tetovë ne pothuajse ngrinim. Pastaj shumë shpesh treni vonohej dhe ne duhej të prisnim me orë të tëra ose pësonte ndonjë defekt dhe ne mbetnim në mes të rrugës.” – thotë I. Qamili, student në Tetovë.

Disa ditë më parë, kryeministri Gruevski, paralajmëroi investime në transportin hekurudhor në vend, duke filluar nga rindërtimi i stacioneve hekurudhore e deri te blerja e trenave dhe vagonëve të ri.

Lajme të ngjashme

Back to top button