KEMI FËMIJË

Burri ishte rehatuar në kolltukun e vjetër me njërën mbështetëse të grisur e tjetrën të amortizuar, me push që ish hëngër shumë. Shikonte lajmet, dëgjonte deklarata dhe vetëm thoshte:

“Shihe, shihe! Sa budallenj që janë!

Herë pas here e rrufiste kafenë që e kishte përpara dhe i përsëriste sharjet. Ndërkaq gruaja, e veshur me tuta, edhe ajo me kafenë para vetes, kacafytej me numra: i bënte hesapet për të dalat mujore, të cilat kurrsesi nuk i dilnin siç i priste.

“Jaaaa”, tha gruaja, “kurrqysh nuk më del hesapi”!

Burri as që e dëgjoi reagimin e saj kur tha: “Jaaaa, kurrqysh nuk më del hesapi”! po vazhdonte ta shprehë njëfarë pakënaqësie:

“E budallenjtë e nënës”!

Gruaja përsëri e uli kokën dhe vazhdoi “betejën” me numrat, ndonëse i ranë në vesh reagimet e errëta të të shoqit. Ajo përsëri s’ia doli t’i mposhtë numrat. E nervozuar e ngriti kokën të shikojë kah televizori dhe i hodhi letrën e lapsin mbi tavolinën e vogël të dhomës së ndenjës që qëndron pranë kolltukut e përballë televizorit. Shiriti i filmit “rrëshqiste” me gjithfarë fytyrash që ndërroheshin të shoqëruara me zërat e gazetarëve: politikanë të partive të ndryshme. Burri përsëri shau:

“Phu nanën!”

Ai ishte zverdhur në fytyrë dhe këmbët që i kishte paluar këmbë mbi këmbë, tashmë po i dridheshin. Nuk ua vari veshin lajmeve për disa vjedhje, keqpërdorime, për vrasje dhe për martesat e vajzave të reja të Shqipërisë  me pleq maqedonas të fshatrave të braktisura, por i tëri ishte bërë sy e vesh pas facave të politikës. Prandaj i ndërronte kanalet. Kur e pa gruaja të tillë, të skuqur e plot nerva, i mori letër e laps, i futi në një fletore dhe i largoi nga tavolina. Pastaj u kthye, u ul dhe e preku butas në gjunjë të shoqin:

“Çka u bë Qim? Çka po ndodh”?

Burri nuk reagoi, i tëri i dhënë pas lajmeve. Ajo e preku edhe një herë në gjunjë:

“Shkëlqim”, i tha ëmbël, “çfarë po ndodh”? Ai e ngriti dorën duke i dhënë shenjë që të heshtte. Gruaja heshti, sepse e dinte se i shoqi donte ta marrë vesh mirë e tërësisht ndonjë lajm të veçantë… Asaj iu përzien fjalët qeveria, PDK-ja, Hashimi, LDK-ja, Isa, korrupsioni, kriminaliteti, VMRO-ja, BDI-ja, Kuvendi, stema, koalicioni, opozita. Kërshëria femërore  e nxiste gruan që t’i lidhë në një tërësi kuptimore, këto fjalë, por-  ȃ… ȃ, nuk ia doli. Pasuan reklamat. Gruaja sa mori ta pyesë Shkëlqimin për reagimet e për shkakun e nervozës, vazhduan lajmet: “Sot përfundimisht u kuptua se LDK-ja e Isa Mustafës do të bëjë koalicion me PDK-në e Hashim Thaçit”…

“Merre me mend çfarë tradhtari doli ky farë Isa Mustafa”, tha burri.

“Pse tradhtar?” e pyeti gruaja.

“Si pse? Po ai deri dje hidhte gur e dru mbi partinë e Hashimit, e quante të korruptuar, kriminele, të padenjë për të qenë në qeveri  e tash menjëherë u bë mik i Hashimit dhe i tradhtoi partitë tjera. Po çfarë mund të pritet më shumë nga një ish ministër i Rrahman Morinës?! Natyrisht se do të dalë në atë anë që është kundër interesave të popullit…”.

“Politikë…”, tha gruaja.

“Jo nuk është kjo politikë, po hajni, tradhti”…

Burrit iu dridh nofulla nga shqetësimi. Prej damarit të fryrë në ballë kuptohej se pulsi i ishte shpeshtuar shumë. “Edhe në politikë duhet të ketë moral, virtyte”…

“Lere”, i tha gruaja. “pse i jep zor për gjërat që s’mund t’i ndryshosh?!”

“Nuk e lë”! e si mund ta lë, kur bëhet fjalë për fëmijët tonë. A nuk e sheh si na ikin rinia prej Kosove, si shkojnë autobusët varg drejt BE-së, si na janë zbrazur fshatrat këtu? A nuk e sheh se mbetëm në fund të pusit me këta njerëz të politikës shterpë, të kësaj politike të dyshimtë? Jo Hashimi, jo daja i Hashimit, jo Alija jo daja i Alisë, jo… Shiko njëherë, a ka mbetur ndonjë kërçovar në Shkup i papunë? Dhe, derisa do të jenë këta, politikanët serbë do të bëjnë dasmë këtu.

“Po si u lidh Alija tash në këtë muhabet?”

“Lidhet, lidhet”, tha burri dhe i fshiu djersët e ballit me shpinëzën e dorës së majtë. “Lidhet se politikë shqiptare është. Si Hashimi, ashtu edhe Alija e mbajnë vulën e të ardhmes së  fëmijëve tonë”.

“Qetësohu njëherë”! e mori me të mirë gruaja. Pastaj u ngrit e solli disa mandarina të imta dhe i qëroi. Ia la pjatën të shoqit përpara. “Nuk më tregove pse u nervozove në fillim kaq shumë? Pse shaje”?

“Po a s’e dëgjon se çfarë po ndodh”?

“Po ta kisha ditur, nuk do të të kisha pyetur ,o Qim”.

“Kanë vendosur ata të VMRO-së ta ndërrojnë stemën, ta heqin atë stemën e mbetur nga Jugosllavia me majë mali, me diellin përmbi e ku ta di se çka e në vend të saj Maqedonia do ta bëjë stemën me luan”.

“Me këtë luan…”, deshi të thoshte diçka gruaja, por Shkëlqimi e ndërpreu:

“Këta axhaminjtë tonë, këta amatorët tonë politikë”, tha burri, “u pajtuan pa e thënë asnjë fjalë! Demek, edhe feudalët tonë paskan pasur këso stemash, me luanë!”.

“Ç’të keqe ka këtu që feudalët tonë paskan pasur stema me luanë? pyeti gruaja.

“Nuk është puna këtu te feudalët tonë, te princërit tonë. Ata në këtë rast shërbejnë vetëm për të na e larë kokën me akull. E sa për të keqen që thua ti, e keqe e përtej të keqes është puna… viran… E para se kështu na e përvetësojnë të kaluarën tonë pak nga pak, micërr pas micrre,  kurse saraj akademitë e llokum institutet tona, bashkë me politikën, heshtin, pra na heqin fashën si komb dhe, e dyta, ajo më e keqja është se BDI-ja vazhdon të bëjë amin për çdo gjë. Shkon si struci, me gjithë vërejtjet që i bën populli për çdo ditë. Po, moj grua, duan të na bëjnë budallë! S’e nuk e ditkemi ne se kjo është stemë partiake e VMRO-së”.

“Ehe edhe ti, o Qim! Po cila parti jona që ishte në pushtet reagoi ndonjëherë? A nuk na patën bërë perishan në Bit Pazar e në Seravë dikur. Po në Tetovë, në Gostivar, në Strugë? Në Kumanovë? Sa herë u derdh gjak, a s’të kujtohet? Po burgjet që janë plot shqiptarë me vendime të kurdisura gjyqësore?… Po emrat e rrugëve, të shkollave, të institucioneve? A mos u angazhua ndonjë politikan ta ndryshojë këtë gjendje, a mos dha dorëheqje ndonjë ministër shqiptar ndonjëherë, së paku? A mos lëvizi vendit ndonjë parti shqiptare  sa herë na e vinte çizmen në fyt pushteti duke na akuzuar kolektivisht për të paqena? Ata shikonin interesat e veta… A s’e dëgjove një ditë një anëtare të LSDM-së, një gruaje maqedonase, që tha se është dashnore e Agron Buxhakut? A do të kishte mundur një funksionar i lartë në perëndim t’i ruante pozitat kështu?”…

Burri e dinte se e shoqja ishte kritike ndaj kësaj politike amatore të shqiptarëve, por mbeti gojëhapur nga hidhëtia që tregoi ajo.

Kishte kaluar mjaft kohë duke biseduar burrë e grua. Dikur ra ora dymbëdhjetë herë. Me një fjalë ishte  bërë vonë. Nesër i prisnin detyrimet. Burri instinktivisht i rrotulloi programet me digitron. Në shumicën syresh debate ku bien fjalë të rënda për shqiptarët.

“Bre, nanën, a ka burra ndër këta politikanët tonë që vazhdimisht na e marrin votën!”…
Pastaj Shkëlqimit iu kujtuan nëpunësit që s’të marrin në dorë, padrejtësia që i bëhet gjuhës shqipe gjithkund, pasaportat, investimet  që nuk shkojnë në viset ku jetojnë shqiptarët…

“Hajde Qim, se u bë  vonë”, tha gruaja. Duke kaluar nëpër korridor për në dhomë të gjumit Shkëlqimi i pa rrudhat në pasqyrë”.

“Eh”! bërë një herë e iu afrua shtratit.

E fikën dritën, por biseda e rënduar me brenga vazhdoi deri në orët e dritës së parë.

“Kemi fëmijë”, tha Shkëlqimi në fund dhe ofshau.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button