Rasti ‘Monstra’, të akuzuarit ende larg Shkupit, Aziri dërgohet në Shtip!

Tre të akuzuarit për rastin “Monstra” ende nuk janë transferuar nga Burgu i Manastirit dhe Prilepit edhe pse gjykata vendimin e mori dy javë më parë.

Familjari i Haki dhe Fejzi Azirit, Bedri Ajdari bën të ditur për Portalb, se transferimi ende nuk është bërë mirëpo ai po ashtu thotë se në vendimin e gjykatës thuhej se Hakiu dhe Agim Ismailoviqi do të transferohen në Idrizovë, kurse Fejzi Aziri në burgun e Shtipit.

“Unë e humba vizitën time gjatë javës që lamë pas sepse mendova që do të kryhet transferimi, por ja që një gjë e tillë nuk u bë ende. Avokati mbrojtës ishte në vizitë të premten, dhe i thanë që ende nuk ka arrit vendimi i gjykatës, ndërkaq nga gjykata thonë se dokumenti është dërguar. Me këtë nënkuptojmë që ky dokument po sillet në labirintet e postës. Ajo që është më brengosëse është fakti që kur e pamë vendimin e gjykatës, vetëm Hakiu dhe Agimi do të transferohen në Idrizovë, kurse vëllai im, Fejziu do të transferohet në burgun e Shtipit”, tha për Portalb, Ajdari.

Ai shtoi se nuk e dinë se si ka ardhur deri te ky vendim, pasi që të gjithë kanë kërkuar transferim në Shkup për arsye që të jenë më afër familjes si dhe të kenë kushte me të mira.

“Kushtet në burgun e Manastirit janë të tmerrshme si dhe është shumë larg për vizitë andaj kërkuan transferimin në burgun e Idrizovës. Nuk e dimë se pse vëllai im do të transferohet në burgun e Shtipit. Nuk e dimë arsyen se pse vetëm kërkesa e tij nuk është miratuar”, tha Ajdari.

Megjithatë sipas Ajdarit, nëse kushtet janë më të mirë në Shtip, nuk do ta kundërshtojmë këtë vendim, kryesorja të jenë në kushte të mira dhe jo siç janë tani në Manastir.

“Nëse kushtet janë të mira nuk do ta kundërshtojmë vendimin e gjykatës, vetëm kërkojmë që sa më shpejtë të realizohet transferimi i tyre, sepse më ka dy javë që vonohet”, tha Ajdari.

Ndërkaq nga ana tjetër prindi i të vrarit Aleksandar Nakevski, Goran Nakevski kohë më parë tha se të akuzuarit kanë kërkuar transferimin në burgun e Idrizovës që të komunikojnë me ata të cilët kanë porositur vrasjen.

“Ajo që kërkohet transferimi nga Manastiri dhe Prilepi në burgun e Idrizovës, do të thotë vetëm një, të arrijnë në telefonat celularë që të komunikojnë me ata që porositën vrasjen. Kjo është e qartë për të gjithë. Duan të komunikojnë me të njëjtit ata që janë në padi si persona me identitet të pazbuluar ku ka, sa e di unë edhe pesë numra të fshehur të telefonit. Për këtë shkojnë në Idrizovë, e cila quhet tani ‘hotel promaja’. Në Manastir dhe Prilep është ndryshe atje nuk kanë mundur. Ndërkaq për personat e panjohur si dhe për numrat, Ali Ahmeti di gjithçka”, tha Nakevski

Kurse para dy javëve u miratua kërkesa e avokatit mbrojtës për transferimin nga burgu i Manastirit dhe Prilepit, të Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri, të akuzuar për rastin ‘Monstra’.

Lajme të ngjashme

Back to top button