Stema me luanin e VMRO-së, nuk i ka përfaqësuar dhe nuk i përfaqëson shqiptarët!

Propozimi i qeverisë për stemën e re, në fakt është propozim i vjetër i cili ka qenë iniciuar që në gusht të vitit 1992, por ishte hedhur poshtë nga deputetët e atëhershëm shqiptarë. Një gjë të tillë e konfirmojnë ish deputetët Eshref Alija dhe Xheladin Murati. Arsyetimi, sipas tyre, ishte se luani nuk përfaqëson shtetin por vetëm një parti politike dhe nuk pasqyron realitetin etnik të një shteti. Murati dhe Alija kujtojnë se edhe socialdemokratët ishin kundër propozimit që në stemë të qëndronte luani, dhe për këtë arsye, stema u hoq nga rendi kuvendor i ditës dhe u la për në një kohë më të mirë, transmeton Alsat-M.

“Me një fjalor politik dhe me maturi, kategorikisht e hodhëm poshtë. Arsyetimi ynë ka qenë se sipas njohurive tona kemi ardhur në përfundim se luani nuk përfaqëson bile edhe shtetin. Përfaqëson një parti e cila dihet ku është themeluar, dihet pse është themeluar, ka qenë një mashë e zgjatur, një paraprijëse e proceseve të interesave të Sofjes, pra bullgare dhe ato njerëz të gjithë kanë qenë bashkëpunëtor atje, luani nuk na takonte neve, pse të imitojmë shtetet që e kanë atë shenjë”, deklaroi Eshref Alija, ish deputet.

“Qëndrimi politik i PPD-së në atë kohë ka qenë kundër miratimit të ndonjë simboli i cili nuk e shpreh realitetin etnik kombëtar në Maqedoni, simbol i cili ka pretendim dhe element që favorizon vetëm kombin maqedonas. Kjo ka qene arsyeja themelore që ne kemi participuar në diskutime por edhe i kemi bojkotuar të gjitha vendimet që ishin në kundërshtim me interesat tona të palës shqiptare”, tha Xhelatin Murati, ish nënkryetar i parlamentit. Sipas ish deputetëve shqiptarë, kjo çështje nuk është thjeshtë teknike por ka domethënie të gjerë politike e kombëtare dhe se stema duhet të pasqyrojë realitetin e ri të shtetit.

“Unë kujtoj se ky do të ishte një nga gabimet më të rënda që guxojnë të bëjnë shqiptarët dhe do ju lutesha shumë të gjithëve t’i hapin sytë për hir të vërtetës për asgjë tjetër, për hir të perspektivës së këtij shteti që me fjalë sorollaten poshtë e përpjetë gjoja vdiqën për Evropë ndërsa me mend dhe me shpirt janë diku nën tokë dhe andej nga s’ka kurrfarë demokracie”, u shpreh Eshref Alija, ish deputet.

Nga stenogramet e parlamentit, rreth diskutimit të atëhershëm për stemën, duket qartë se pas-mospajtimeve të shumta mes deputetëve iu shtua edhe kërkesa nga partia e Stojan Andovit për mbajtjen e një referendumi, nëse luani duhet të jetë pjesë përbërëse e stemës apo jo. Propozimi për referendumi ishte përshëndetur në atë kohë edhe nga LSDM-ja.

Lajme të ngjashme

Back to top button