ANALIZË: Kredi për hekurudhë dhe rrugë, ku ishin këto projekte deri tani?

Kredi për autostrada, rrugë rajonale, magjistrale dhe lokale. Kredi për ndërtim të hekurudhës. Në fund të këtij viti, Maqedonia filloi t’i harxhojë kreditë e vjetra, mirëpo nënshkroi edhe marrjen e huave të reja për ndërtimin e infrastrukturës. Vetëm për dy kredi, nga Kina dhe Banka Evropiane, borxhi u rrit për mbi 800 milionë euro. Poashtu, këtu janë edhe kreditë për autostradën Demir Kapi – Smokvicë prej 220 milionë eurosh, kredi prej 50 milionë eurosh për rrugët lokale. Për çfarë projektesh infrastrukturore marrim hua dhe a u fut Maqedonia me vonesë në ciklin investues?

Maqedonia investon me vonesë?

Maqedonia ka nevojë për 1,7 miliardë euro që t’i realizojë projektet kyçe të infrastrukturës në pesë vitet e ardhshme. Prej ku do të sigurohen këto para? Për ciklin investues, në fillim të vitit qeveria mori kredi. Të parën nga Kina, për ndërtimin e dy autostradave në lindje dhe në perëndim të vendit, me ç’rast mori kredi nga banka kineze Eksim në vlerë prej 550 milionë eurosh. Linja e dytë kreditore është nga Banka evropiane për rindërtim dhe zhvillim, me vlerë prej 305 milionë eurosh me të cilën do të ndërtohen rrugë dhe një pjesë e hekurudhës. Vetëm si rezultat i këtyre dy kredive, vendi u fut në borxh prej 855 milionë eurosh.

Sipas Vullnet Palloshit, ekspertit për infrastrukturë rrugore, vendi me vonesë futet në një cikël serioz infrastrukturor, dhe tani do të luftojë së paku t’i arrijë vendet e rajonit.

“Në vend, gjatë dhjetë viteve të fundit nuk kishim projekte të mëdha dhe të rëndësishme infrastrukturore. Maqedonia tashmë ngec në ndërtimin e projekteve të këtilla dhe do të thoja se kjo është rezultat i vlerësimeve të gabuara. Nëse e bëjmë një krahasim me rajonin, Serbia paralajmëroi një cikël investues infrastrukturor prej 10 miliardë eurosh, këtu është edhe Shqipëria me dy korridoret në vlerë prej 3 miliardë eurosh, ndërsa investime paralajmëroi edhe Kosova në vlerë prej 1 miliardë eurosh. E gjithë kjo tregon se Maqedonia tashmë ngec, dhe ajo duhet të jetë në hap, jo me Evropën, por para së gjithash, me rajonin. Sipas meje, vendi u fut me vonesë në këtë cikël investues” – vlerëson Palloshi.

Bashkimi Evropian i ndau mjetet financiare për përkrahjen e projekteve infrastrukturore, dhe për Maqedoninë paralajmëroi se do të ketë 108 milionë euro. Njëkohësisht, eurokomesarja për transport, Violeta Bullk, u dërgoi mesazh vendeve të rajonit, veçanërisht atyre të Ballkanit Perëndimor, që të jenë të kujdesshme gjatë marrjes së kredive për rrugë dhe hekurudha.

“Duhet të fokusohemi në përmirësimin dhe në rindërtimin e infrastrukturës ekzistuese në Ballkan, në vend të ndërtimit të infrastrukturës së re dhe të shtrenjtë e cila nuk është e thënë se do t’i plotësojë nevojat. Mos bini në grackën për marrjen e lehtë të parave nga huatë të cilat në të ardhmen gjithsesi se do të duhet t’i ktheni”, – deklaroi komesarja për transport Bulk.

Sipas analistit Palloshi, në letër mbetën shumë projekte të mëdha, të cilat deri tani duheshte të jenë në fazën e ndërtimit. Tani kur Maqedonia vendosi të realizojë një pjesë të tyre, interesat evropiane për financim kanë ndryshuar, sqaron Palloshi.

“Është duke ndodhur, do të thoja, një gjë e pazakonshme. Sipas meje, Koridori 8 dhe Koridori 10 nuk ekzistojnë. Bashkimi Evropian publikoi korridore të reja, të cilat prakitikisht e anashkalojnë Maqedoninë, Serbinë, Shqipërinë. Tani BE-ja praktikisht na dërgon porosi të kemi kujdes se prej ku marrim hua, veçanërisht kur bëhet fjalë për Kinën, vend i cili praktikisht paraqet konkurrencë të BE-së sa i përket ofrimit të kredive të lira dhe të volitshme për ndërtimin e infrastrukturës. Kina ofron kamata për kreditë të cilat iu afruan kushteve që i ofron Banka evropiane për rindërtim dhe zhvillim”, thotë Palloshi.

Në rajon, Kosova u fut në një investim më serioz infrastrukturor, me plan që për tre vjet ta përfundojë rrugën deri te kufiri me Maqedoninë.

“Republika e Kosovës po bën përpjekje maksimale për të arritur standarde sa më të larta në ndërtimin e rrugëve dhe hapjen e korridoreve. Deri tani kemi arritur që të lëshojmë në përdorim 80 km të autostradës nga kufiri me Shqipërinë në drejtim të Serbisë dhe kemi filluar rrugën që lidh Prishtinë me Shkupin dhe kjo do të mundësojë lidhjen me korridorin 8, kështu që do të kemi qasje më të lehtë ndërmjet dy korridoreve, atyre 8 dhe 10. Për tre vjet Kosova do ta përfundojë rrugën deri te kufiri”, tha Fehmi Mujota, ministri për infrastrukturë i Kosovës në këshillin ministror që u mbajt në Shkup.

Kredi – për çka?  

Në fund të këtij viti, Maqedonia nënshkroi marrjen edhe të një kredie. Nga Banka Evropiane për rindërtim dhe zhvillim mori hua prej 305 milionë eurosh, prej të cilave 145 milionë euro do të shfrytëzohen për ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore, ndërsa 160 milionë euro për infrastrukturën rrugore.

Me paratë do të ndërtohet hekurudha prej Beljakovcit deri në Kriva Pallankë, si pjesë e korridorit 8, në gjatësi prej 34 kilometrash. Kredia e marrë ka afat pagese prej 15 vitesh, me grejs-periudhë prej katër vitesh dhe përqindje momentale të kamatës prej 1,5%. Me 160 milionë eurot e tjera do të ndërtohet autostrada Strugë – Trebenishtë dhe rrugët Prilep – Gradsko, Ohër – Peshtani dhe Shtip – Koçanë.

“Kjo do të thotë angazhim të firmave dhe punëtorëve të vendit, ngritje të PBB-së gjatë realizimit të këtyre projekteve, ndërsa në aspekt afatgjatë do të përmirësohet konkurrenca e ekonomisë, për shkak se do të hapen drejtime të reja rrugore, ndërsa Maqedonia do të ketë infrastrukturë më të mirë rrugore. Kjo do të ndihmojë që me këto mjete, me probleme sa më të vogla të mundshme, të realizohen këto projekte, е me këtë rast të ruhet niveli i ulët i ngarkesës me borxhe të Republikës së Maqedonisë”, deklaroi ministri për financa, Zoran Stavreski.

Këtë vit Maqedonia filloi ta harxhojë kredinë e parë më të madhe prej 550 milionë eurosh që e mori prej bankës kineze Eksim, për ndërtimin e rrugëve në lindje dhe në perëndim të vendit. Edhe pse kjo linjë kreditore konsiderohet si jashtëzakonisht e volitshme, institucionet ndërkombëtare e tërhoqën vërejtjen se ajo duhet të menaxhohet me kujdes, për shkak se mund të ndikojë mbi pozitën e përgjithshme të ngarkesës me borxhe të ekonomisë së vendit.

“Ndërmarrja publike për rrugët shtetërore nënshkori një linjë kreditore prej 550 milionë eurosh me bankën kineze Eksim, të cilat duhet paguhen në periudhën 2014-2018. Banka maqedonase për përkrahjen e zhvillimit (BMPZH) ka nënshkruar kontratë për një linjë tjetër kreditore prej rreth 100 milionë eurosh prej BEI-t. Në përgjithësi parashihet se borxhi publik do të rritet prej 41 deri në 49 për qind të PBB-së në periudhën prej vitit 2013 deri në vitin 2018”, theksoi FMN-ja në vlerësimin e saj të fundit për Maqedoninë.

Maqedonia me një kredi prej 220 milionë eurosh e ndërton pjesën e autostradës Demir Kapi – Smokvicë, projekt i cili ishte nën hije të rastit “Aktori”, ku shtetas grekë, siç akuzoi opozita, kanë tërhequr sasi të mëdha të parave të gatshme nga llogaria e firmës. Ky rast akoma është në pritje të shqyrtimit gjyqësor.

Për rehabilitimin e rrugëve janë siguruar 160 milionë euro, ndërsa për ndërtimin e rrugëve lokale, kredi prej rreth 50 milionë eurosh.

Lajme të ngjashme

Back to top button