Pasiguria sociale dhe ekonomike shkakton trend negative të natalitetit

Të dhënat më të fundit të statistikave zyrtare janë publikuar të shoqëruara edhe me ato të viteve të kaluara, duke i bërë një retrospektive shtimit natyral të popullsisë për gjashtë vitet e fundit. Të dhënat në fjalë tregojnë se pavarësisht luhatjeve me tendenca pozitive gjatë viteve 2009 dhe 2010, ritmet kanë rënë, duke e kthyer situatën me uljen e natalitetit, ashtu si në vitin 2008, shkruan gazeta lajm.

Sipas ekspertëve të kësaj sfere, situata është e tillë për vetë faktin se masat e marra deri tani nuk janë treguar të suksesshme dhe të qëndrueshme. Por nga ana tjetër, edhe pasiguria sociale dhe ekonomike, ashtu si edhe krizat politike, janë ndër faktorët kryesorë të uljes së vazhdueshme të shifrave pozitive.

Njohësi i kësaj fushe, Resula Hamiti, nga departamenti i Gjeografisë në Universitetin e Tetovës, thotë se po t’i referohemi ndarjes rajonale, zonat ku banojnë shqiptarët, por edhe komuniteti rom krahasuar me ato ku banojnë maqedonasit – megjithatë kanë një shtim pozitiv të popullsisë.

“Emigracioni në rritje, rënia e ekonomisë, kriza politike, pa shpresat, jopunësimi i çifteve të reja që duhet të jetë prioritare, keqsistemimi i tyre në aspekt banesor, e të tjera… janë faktorë që ndikojnë dhe do të vazhdojnë të ndikojnë negativisht edhe më tej. Do të kemi ulje të shtimit natyror, në rast se situata nuk ndryshon. Më e thellë tek pjesa maqedonase dhe më pak tek shqiptarët”, thotë Hamiti. Edhe pse për këtë vit të dhënat kufizohen deri në muajin shtator, kjo periudhë ka rënie krahasuar me atë të një viti më parë. Sa i takon faktorëve që vazhdimisht kontribuojnë negativisht në shtimin natyror të popullsisë – janë edhe martesat, numri i të cilave vjen duke u ulur, duke kaluar nga 7.2 kurora në një mijë banorë në 6.8 të tilla vitin e kaluar. Edhe lindjet po ashtu nuk kanë ndryshime shumë të mëdha. Për shembull, nëse në vitin 2008 llogariteshin 11.2 foshnje në një mijë banorë, numri është i njëjtë edhe pas tetë vitesh. Edhe pse në vitet 2009, 2010 numri i të sapolindurve pati një rritje të ndjeshme, duke u në afruar 12. Divorcet, po ashtu janë shtuar, duke shkuar drejt dyfishimit. Nëse tetë vjet më parë llogariteshin 82.3 shkurorëzime në një mijë banorë, kjo shifër është rritur gradualisht në vite duke shkuar në 146.3 ndarje në një mijë banorë. Sipas të dhënave zyrtare, plakja e vazhdueshme vjen si pasojë e lindjeve gjithnjë e më të rralla që ndodhin në zonat e banuara kryesisht me maqedonas, ndërkohë që për pjesën shqiptare, edhe pse lindjet nuk janë ashtu si vite më parë, natalitetin e kanë në nivelet më të larta.

Lajme të ngjashme

Back to top button