Enigmë, si harxhohen paratë e buxhetit?

Institucionet shtetërore problem kryesor e kanë aspektin transparencës në harxhimin e parave publike dhe 90 për qind e tyre në faqet e tyre të internetit nuk i publikojnë të dhënat se si janë harxhuar paratë e qytetarëve gjatë këtij.

Qytetarët edhe pse mbushin buxhetin shtetëror, ata nuk kanë idenë se ku shpenzohen dhe se çfarë bëhet me paratë e tyre. Kështu rezulton raporti i fundit i realizuar nga Qendra për Analiza Ekonomike(QAE) i titulluar “Për proces buxhetor më të mirë dhe rritje të transparencës dhe llogaridhënies nga ana qeverisë aktuale”. “Vetëm 3.3 për qind e institucioneve shtetërore në ueb faqet e tyre kanë bërë transparente buxhetin rrjedhës për vitin aktual, 39 për qind e tyre aspak nuk kanë bërë publike llogaridhënien për harxhimet e parave publike. Gjithashtu rezultatet e fituara nga monitorimi i institucioneve shtetërore tregojnë se rreth 90 për qind e tyre nuk kanë bërë publike as të dhënat e para dhe si janë harxhuar paratë nga buxheti aktual, ndërsa vetëm 13 për qind e këtyre institucioneve kanë publikuar raport 6 mujor për harxhimet e parave publike”, thuhet në raport.

Eksperti ekonomik Marjan Nikollov vlerëson se gabim është qasja e të pasurit vetëm horizont afatshkurtër të planifikimit të buxheteve nga qeveritë edhe pse kjo është efektive për to, mirëpo jo gjithmonë ekonomike dhe efikase për qytetarët e Maqedonisë. “Një dimension tjetër shumë i rëndësishëm në këtë drejtim është ‘ana tjetër e monedhës’, respektivisht sa harxhohen mjetet e buxhetit në mënyrë racionale dhe nëse ka ndonjë mënyrë për të përcaktuar efikasitetin në realizimin dhe menaxhimin e aktiviteteve buxhetore. Këto dy dimensione janë të ndërlidhura mes veti dhe vetëm kur të dy janë të plotësuara atëherë buxheti në mënyrë racionale dhe efikase e përmbushë rolin e vet”, thotë Nikollov për gazetën Koha.

Në këtë drejtim, thotë ai, me qëllim që të mirat publike që i ofron shteti të realizohen në mënyrë sa më efikase, është e nevojshme që qytetarët të jenë të informuar për buxhetet, gjegjësisht se si harxhohen paratë publike.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button