Mësimdhënësit ankohen: na bëjnë presion me kontrolle

Në shkollat fillore dhe të mesme ka filluar të shpeshtohet vizita e inspektorëve të arsimit, të cilët javën që lamë pas hynë nëpër orët e mësimit dhe vëzhguan punën e mësimdhënësve nga afër si dhe kontrolluan përgatitjet ditorë të tyre, se a është në përputhje me planprogramin.

Drejtori i shkollës fillore “Liria”, në Shkup, Talat Sadiku bën të ditur se inspektorët vizituan këtë shkollë por deri më tani nuk ka ndonjë dënim.

“Ishin inspektorët i kontrolluan punën e mësimdhënësve dhe për momentin nuk kemi ndonjë informacion se a është dënuar apo a kanë vërejtur ndonjë mangësi, kjo vlerësohet të bëhet pas përgatitjes së proces verbalit”, tha për Portalb, Sadiku.

Inspektorët gjithashtu vizituan edhe shkollën fillore “Penestia” në Dibër.

“Në orën time kanë qenë dy herë sepse jap mësim në qytet dhe në fshat. Kanë qëndruar tërë orën dhe kanë vëzhguar se sa jam e përgatitur dhe si e mbaj orën e mësimit. Sipas mendimit tim kjo është mënyra e rregullt se si duhet të vlerësohen mësimdhënësit, e jo nga një testim esktern të stërmbushur me gabime. Ai nuk është adekuat dhe real. Kjo është ngarkesë shumë e madhe për mësimdhënësit dhe normal stres dhe frikë nga dënimet”, tha për Portalb, mësuesja e lëndës së historisë pranë shkollës “Penestia”, Valbona Jani.

Shkolla fillore “Istikball”, në Tetovë disa herë u vizitua nga inspektorët, gjë që mësimdhënësit e vlerësojnë si ngarkesë të madhe tërë këtë kontroll që po zhvillohet mbi ta.

“Inspektorët kanë ardhur disa herë në shkollën tonë dhe fatmirësisht nuk ka pasur asnjë dënim për asnjë mësimdhënës deri më tani, por vlerësojmë se vizita e inspektorëve dhe testimi ekstern janë ngarkesë shumë e madhe për mësimdhënësit. Mësimdhënësit po sulmohen nga të gjitha anët. Nga ne kërkohet diçka që as Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk e di se çka. Nga ana tjetër inspektorët kërkojnë shumë pa i marrë parasysh kushtet në të cilat ne zhvillojmë mësimin, kjo është e tepërt, ngarkesë shumë e madhe për ne”, tha për Portalb, arsimtari i gjeografisë, Imerja Ademi.

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë të Kumanovës, Samet Jahiji, bën të ditur se në disa shkolla kanë shkuar inspektorët dhe në disa jo.

“Në shkollën ku unë jam mësimdhënës nuk kanë ardhur ende inspektorët por kam njohur se në shkollat e mesme kanë vëzhguar mësimin dhe kanë kontrolluar përgatitjet ditore të mësimdhënësve. Kjo është mënyrë më e mirë për të shikuar punën e mësimdhënësve dhe jo nëpërmjet testimit ekstern. personalisht vlerësoj se disa arsimtarë që janë denuar janë shumë më të aftë dhe më të mirë se disa që janë shpërblyer”, tha për Portalb, Jahiji.

Ai shtoi se nëse Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK), heq dorë nga kërkesa për anulimin e testimit ekstern, ne do të kërkojmë themelimin e një Sindikate për mësimdhënësit shqiptar.

“Ne paguajmë të holla rregullisht për këtë sindikate dhe nëse ajo nuk mbron interesat tona do të kërkojmë hapjen e një Sindikate për mësimdhënësit shqiptarë, sepse testimi ekstern në gjuhën shqipe ishte skandaloz dhe asnjë nga ankesat tona nuk u morën parasysh”, shtoi Jahiji. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button