5 Dhjetori – Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit

5 Dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit (DNV), e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme OKB-së më vitin 1985. Kjo ditë ju dedikohet të gjithë atyre vullnetarëve të shumtë të angazhuar anembanë botës të cilët sakrifikojnë interesat e tyre personale në interes të shoqërisë dhe komunitetit më të gjerë.

Organizata joqeveritare Qendra Evropiane SN7, me rastin e kësaj dite ku vihet në pah ndjenja pozitive dhe altruiste e individit vlerëson se dobitë nga vullnetarizmi janë të shumta, duke filluar nga përfitimi e eksperiencave të reja, zhvillimi profesional, aftësimi personal, krijimi i miqësive të reja, eksplorimi njohurive shtesë, zhvillimi i vizionit, marrja e përgjegjësive të reja etj.

Vullnetarizmi është shprehje e lirisë individuale në interes të së mirës së përgjithshme dhe paraqet aktin më human të një shoqërie duke reflektuar edhe ndjeshmërinë e brendshme për nevojat e të tjerëve.

Në këtë ditë, Qendra Evropiane SN7, njëherësh shpreh edhe shqetësimin për faktin se ndonëse institucionet, organizatat dhe kompanitë e ndryshme në parim mbështesin punën vullnetare, realiteti tregon një fotografi tjetër. Organizata jonë apelon deri te të gjithë organizatorët e punës vullnetare që të hapin dyert e tyre për njerëz të rinj dhe energji pozitive.

Në kuadër të punës vullnetare, respektimi me përpikëri i ligjeve, normave dhe parimeve kombëtare dhe ndërkombëtare që rregullojnë aktivitetin vullnetar do të ishte një domosdoshmëri për nxitjen dhe zhvillimin e vullnetarizmit, ndërsa vetëm zbatimi me ndershmëri i “Ligjit për Vullnetarizëm” do të ishte garanci se angazhimi dhe puna vullnetare respektohet dinjitetshëm në të gjitha format.

Lajme të ngjashme

Back to top button