Begaj dyshohet për përdorim të dopingut

Hije dyshimi mbi titullin botëror të Romela Begajt. Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes (IWF) ka bërë të ditur se peshëngritësja shqiptare ka rezultuar pozitive në testin e antidopingut me substancën, stanozolol.

Federata ndërkombëtare bën të ditur se për pasojë, sportistja do të pezullohet për momentin në pritje të kryerjes së testit B dhe dëgjimit të versionit të saj në apel, ku nëse vërtetohet se Romela nuk ka përdorur asnjë substancë të ndaluar dhe rezultati i analizave të para nuk ka qenë i saktë, atëherë ajo mund të mbajë medaljen e artë dhe njëkohësisht dhe titullin.

IWF njofton se nuk do të ketë prononcime të tjera mbi këtë çështje deri sa ajo të qartësohet përfundimisht.

Ndërkohë, Sport News kontaktoi me Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, e cila bëri të ditur se për momentin nuk ka asnjë shkresë zyrtare nga IWF, pavarësisht se në faqen online të kësaj të fundit, ky vendim është bërë publik.

Drejtues të Federatës bën të ditur se në momentin që do të ketë një shkresë zyrtare do të bëhet dhe një njoftim publik për këtë çështje dhe do të mbahet dhe një konferencë për shtyp.

Romela fitoi titullin botëror në fillim të nëntorit në Kazakistan në stilin e shkëputjes, duke ngritur 113 kilogram. Ky ishte titulli i parë botëror për një sportiste shqiptare. /SuperSport/

Lajme të ngjashme

Back to top button