Çeku: Jam prishtinali prej 1999-së

Agim Çeku ka vendosur të mos e lë punën në Ministrinë e Forcës së Sigurisë dhe të kërkojë vota në Prishtinë, përderisa nuk nis zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Kështu, kandidati i PDK’së për Kryetar të Kryeqytetit thotë se po e respekton ligjin, duke pritur ditën e fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet komunale.

“Fushata ende s’ka filluar. Unë jam njeri i disiplinës dhe e respektoj ligjin. Fushata s’ka fillu. Nuk do të thotë se s’kam kontakte me njerëz, por ato s’janë mediale”, ka thënë Çeku për Gazetën Express, të martën.

“Unë do të bëjë veprime politike atëherë kur të fillon fushata.Fushata fillon një muaj para zgjedhjeve dhe vetëm atëherë duhet të bëjmë fushatë. Tanimë jam duke punuar”, ka shtuar ai.

Agim Çeku është nominuar për Kryetar të Prishtinës nga PDK në momentet e fundit, pasi ai asnjëherë më herët nuk ishte përmendur për një pozitë të tillë.

Çeku është me prejardhje nga Qyshku i Pejës, ndërsa prej pasluftës shumicën e kohës ka jetuar në Prishtinë.

Ai i ka quajtur të pabaza konstatimet se është shkelur ligji me kandidimin e tij në Prishtinë.

“Ligji e thotë se kandidati për Kryetar duhet të jetoj së paku tri vjet në atë qytet. Unë kam jetuar shumë më shumë në Prishtinë. Nuk thotë në tri vitet e fundit, por thotë vetëm tri vjet. Unë prej vitit 1999 jetoj në Prishtinë dhe kam votuar në Prishtinë”, ka thënë Çeku.

Ish-Kryeministri ka përmendur edhe emrat e pronarëve dhe lagjet se ku ka jetuar prej përfundimit të luftës.

“Së pari, një vit kam flejt në Zyrën time në Shtabin e Përgjithshëm, adresën e kam pasur Zejunallah Emshiri, nr 1. Kam jetuar më shumë se dy vjet me qera te Shkelzen Lipovica, njëzet metra prej Shtabit. Prej aty kam jetuar përball “Pishave”, te pronari Agim Llalloshi. Prej aty kam banu mandej te Gardeni, te Ismet Shala. Prej Emshirit kam kalu në Fushë Kosovë në kohën kur kam qenë Kryeministër prej 2005-2008. Prej aty kam kalu në Veternik”, ka treguar ai.

Kandidati i PDK’së për Prishtinë thotë përveç njëherë që ka votuar në Fushë Kosovë, herëve tjera ka votuar në Kryeqytet.

“Në tri katër palë zgjedhjet e para kam votuar në Prishtinë. Është e vërtetë se një palë zgjedhje kam votuar në Fushë Kosovë”, ka thënë ai.

Çeku ka refuzuar të komentoj deklaratat e kandidatit të LDK’së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se rivalët në Prishtinë janë “kafshatë e vogël” për të.

“Unë nuk do të jem arrogant ndaj askujt. Nuk do të merrem me asnjërin prej kandidatëve, por do të merrem me qytetarë dhe do t’ju bëj ofertën qytetarëve. Në këtë garë nuk kam hyrë për të munduar atë ose këtë, por që të fitoj edhe t’ju shërbej të gjithë qytetarëve të Prishtinës”.

Lajme të ngjashme

Back to top button