LSDM dhe VMRO i nxjerrin të palarat njëra-tjetrës

Akuza dhe kundërakuza për korrupsion dhe nepotizëm mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së. Partia në pushtet vazhdon të akuzojë liderin e opozitës dhe kryetarin e Komunës së Strumicës Zoran Zaev, duke publikuar dokumente për shpërndarjen e tenderëve njerëzve të afërm me të.

“Përveç tenderëve që Komuna e Strumicës dhe institucionet nën kompetencën e saj u kanë dhënë kompanive të afërta me familjen e Zoran Zaevit, në sistemin e Zaevit janë të kyçura edhe kompani të partnerëve të tij. Dje ju njoftuam, ndërsa sot vazhdojmë të prezantojmë dëshmi në të cilat shihet qartë se Zoran Zaevi i ka dhënë tender edhe mikut të tij personal dhe partnerit të vëllau të tij Vice Zaev, Goran Kërstevit”, tha Dime Spasov nga VMRO DPMNE.

Nga ana tjetër LSDM-ja është përgjigjur me akuza ndaj ministres së punëve të brendshme Gordana Jankullovska. Ata thërrasin Jankullovskën të shpjegojë se si i siguroi dy banesat në vlerë prej 200 mijë eurosh vetëm me një rrogë ministrore.

“A e heshti ministren e “ndershme” Jankullovskën lista e saj e pronësisë e publikuar në faqen e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit? Sepse ajo vetë paralajmëroi se do ti njoftojë mediat, ose së paku një pjesë prej tyre, ndërsa gjatë ditës së djeshme kjo nuk ndodhi”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.

Sa i përket akuzave të VMRO-së për kreun e Komunës së Strumicës Zoran Zaev, LSDM është përgjigjur se në Strumicë marrin tenderë edhe firma të afërta me VMRO-në, duke përmendur firmën “Al-Maks”, pronar i së cilës është kandidati i VMRO-së për Strumicën dhe deputeti aktual Vasill Pishev.

Lajme të ngjashme

Back to top button