‘Monstra’ shtyhet seanca, kërkohet gjykatës tjetër

Prokuroria vazhdon të mos ketë prova për procesin gjyqësor Monstra. Kështu thotë avokati mbrojtës Naser Raufi sipas të cilit pikërisht mungesa e provave ka qenë shkak për huti dhe mungesë të planit të punës për seancën që duhej të mbahej sot.

Nga ana tjetër, seanca e sotme u anulua për shkak të vërtetimit të lidhjeve familjare mes njërit prej avokatëve mbrojtës dhe njërit prej gjykatësve të porotës. Procesi do të vazhdojë më 16 tetor, ndërsa deri atëherë duhet që të ndërrohet gjykatësi i porotës.

“Seanca e sotme u anulua dhe u caktua për 16 tetor. Shkak ishte lidhja familjare mes njërit prej gjykatësve të porotës dhe avokatit mbrojtës. Pritet që të ndërrohet gjykatësi i porotës”, tha avokati Naser Raufi.

Ai thotë gjithashtu se gjykata vazhdon të mos pranojë kërkesat e palës mbrojtëse për sigurimin e provave. Mes tjerash, gjykata ka dhënë përgjigje negative për kërkesën e mbrojtjes që të hulumtohet vetura Opel Omega, për të cilën prokuroria thotë se u përket autorëve të aktit. Procesi gjyqësor Monstra po vazhdon kundër 5 të akuzuarve në paraburgim në Shkup, dhe 2 të akuzuarve që nuk janë të kapshëm për policinë, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq.

Këta të fundit gjenden në burg në Prishtinë, dhe do të mbeten për të vuajtur dënimin prej 2 respektivisht 2 vjet e gjysmë për armëmbajtje pa leje.

Lajme të ngjashme

Back to top button