Hipokrizia e drunjve të Qeverisë

Aksioni “Dita e drurit” realizohet vitin e shtatë me radhë. Filloi në muajin mars të vitit 2008 dhe deri më tani janë mbjellë rreth 50 milionë fidanë.  Që nga viti 2008, për 14 herë deri më tani sipas statistikave të Qeverisë do të duhej të kishim mbjellë 12.000 hektarë dru. Kjo hapësirë, është përafërsisht sa parku nacional “Pelister” në Maqedoni.

Kujdesi për natyrën, vetëm për një ditë!
Ironia e këtyre numrave qëndron në faktin se dita ditës banorët e Maqedonisë në numër që gjithnjë rritet, po mbyten në ajrin e ndotur që ka kapluar thuajse tërë këtë shtet. Pos problemit të ajrit të ndotur në rajonin e Pollogut që përfshin më shumë qytete të Maqedonisë perëndimore, kemi problemin e lumenjve të stërmbushur me mbeturina, Qeveria dëshiron ta uzurpojë lumin Radika, Çairi dhe disa komuna të tjera nuk mund të marrin frymë nga uzurpimet e hapësirave të gjelbra pasi që ndërtohet me të madhe.
Nëse Qeveria do të ishte e kujdesshme ndaj natyrës do të kishim pasqyrë tjetër në Maqedoni , do të kishte aksione të vazhdueshme dhe kujdesi ndaj saj nuk do të ishte lënë simbolikisht vetëm në një ditë.

Mos ta harrojmë hipokrizinë
Nga njëra anë Qeveria organizon pyllëzimin ndërsa nga ana tjetër lejon që Pollogu të mbytet nga puna e papërgjegjshme e fabrikës “Jugohrom”, madje duhet të kihet parasysh që përderisa numri i rasteve kancerogjene në Maqedoni rritet, Qeveri nuk ka as analiza se me çfarë helmesh helmohen banorët e këtij regjioni. Banorët vazhdojnë të protestojnë.
Para një viti mu në qendrën e Shkupit  me polici u prenë të gjithë drunjtë te hoteli “Bristol” me qëllim që të ndërtohet ndërtesa administrative e Këshillit për Radiodifuzion.
Dita ditës uzurpohen hapësirat e gjelbra në komunën e Çairit dhe qytetarët protestojnë për këtë.
Dita ditës po priten drunjtë e pakut në pyllin drejtë Vodnos.
Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Maqedoninë qartë thotë se Maqedonia në praktikë nuk ec në vijë me rekomandimet e BE-së për mjedisin, edhe pse kryesisht është harmonizuar legjislatura vendase me atë evropiane.

Cili është efekti i kësaj fushate milionëshe?
Sipas drejtorit të “Pyjeve të Maqedonisë”, Zharko Karaxhoski për çdo aksion harxhohen nga 50 deri më 70 milion denarë. Deri më tani del që të jenë harxhuar rreth 850 milionë denarë apo rreth 14 milionë euro.  Sa për krahasim, buxheti vjetor i Sekretariatit për çështje evropianë është ndër 100 milion denarë, aq sa harxhojnë në dy aksione për pyllëzim, ndërkaq buxheti i sivjetmë i Gjykatës Kushtetuese është 32 milion denarë apo sa gjysma e një aksioni për pyllëzim.  Agjencia për kundërzbulim për një vit ka buxhet sa për tre aksione pyllëzimi apo mbi 155 milion denarë.

“Në një moment që qeveria lejon një ndotës masiv të punojë pa kurrfarë filtrash ekologjikë, dhe i lejon të njëjtit të helmojë qindra mijëra qytetarë, mendojmë se është skajshmërish hipokrizi të dalin e të mbjellin ndonjë fidan sa për t’u fotografuar nga kamerat e mediave të ndryshme.  Kujdesin e tyre të madh ndaj qytetarëve dhe ambientit duhet t’a tregojnë kur të marrin vendime për të ndëshkuar ata që shkaktojnë ekocid në vend, e jo duke mbjellë një fidan sa për të qenë në lajme” thotë për Portalb, Arianit Xhaferi nga organizata Eco Guerilla.

“Asnjë efekt nuk shohim, në Manastir vazhdimisht priten drunjtë ndërsa ajri është shumë i ndotur. Lagja Bair mbetet pa asnjë dru edhe pse disa herë me radhë po bëhen kësi lloj aksionesh” thotë Goran Pinza nga organizata “Për ne bëhet fjalë” nga Manastiri të cilët protestojnë sot.

“Askush nuk mund ta vërtetojë dhe aq më pak ta besojë që janë mbjellë gjithë ato drunj. Kjo është një propagandë në përmasa të mëdha. Kam qenë në këto aksione, as kishim mjete e as organizim për punë” thotë për REL profesori Boris Anakiev.

Për aksionin “Dita e drurit” Qeveria nuk jep llogari detajore sa para në fakt harxhohen, sa paguhen fidanët, sa para harxhohen për fushatat mediale, për  transportin e qytetarëve në vendet ky pyllëzohet. Fakt është që paratë janë të popullit.

Sot  me rastin e aksionit “Dita e drurit- mbille të ardhmen tënde” me moton “Ndal katastrofave” thuhet se u mbollën 5 milion fidanë  në sipërfaqe prej 1.107 hektarë në mbarë Maqedoninë. Për një aksion më  gjithëpërfshirës, Qeveria sot shpalli ditë jo punë,  kurse komunat deri tek lokacionet ku do të bëhet mbjellja e fidanëve organizuan transport falas. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button