“Dita e Drurit”, në Gostivar mbillen 130 mijë fidane

Edhe në territorin e komunës së Gostivarit u zhvillua aksioni tradicional “Dita e Drurit”.

Kësaj radhe aksioni u zhvillua në territorin e fshatit Leshnicë dhe në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Gostivarit.

Në mbjelljen e drunjve në shkollën e mesme komunale “Gostivari”, morën pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, udhëheqësi i Sektorit të Inspektoratit, Nazmi Jusufi, udhëheqësi i Sektorit të Arsimit, Qeramedin Selimi, drejtori i shkollës Xhezi Kamberi si dhe mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle të mesme.

“Ajo që është risi për dallim prej viteve paraprake, këtë vit në vende të caktuara dhe në territore të caktuara varësisht nga kushtet klimatike do bëhet mbjellja edhe e të ashtuquajturve pallmave. E dyta që gjithashtu është risi është se lartësia ose madhësia e fidanëve sipas informacioneve që ne si qeveri i kemi marrë nga Ndërmarrja “Pyjet e Maqedonisë”, këtë vit dallojnë prej atyre që janë mbjellë viteve paraprake dhe si rezultat i kësaj realizimi i këtij aksioni do të ketë shpenzime ose kosto më të lartë”, tha ministri Adnan Jashari.

“Edhe komuna e Gostivarit merr pjesë në realizimin e këtij aksioni. Janë të përfshira të gjitha nëntë shkollat fillore dhe katër shkollat e mesme. Në territorin e komunës së Gostivarit do të mbillen 130 mijë fidanë pishë e bardhë dhe 500 fidanë Sampresa Arizone dru dekorativ nëpër shkollat e mesme. Të gjithë sesionet ekologjike të shkollave janë të përfshira, ku janë të organizuar me autobus dhe shkojnë në vendin ku duhet të mbjellën në territorin e fshatit Leshnicë”, theksoi Nazmi Jusufi, nga komuna e Gostivarit.

“Shkolla janë gjithsesi është pjesëmarrëse në këtë aksion, me angazhimin e shërbimit profesional, me angazhimin e arsimtarëve dhe nxënësve. Në shkollën tonë do të mbjellën 30 fidanë dhe gjithashtu i kemi organizuar nxënësit të cilët janë ndarë nëpër lokacione të ndryshme të cilat janë të caktuara nga ana e komunës”, deklaroi drejtori i SHMK “Gostivari”, Xhezi Kamberi.

Ky është aksioni i 14-të me radhë për mbjelljen e drunjve në vendin tonë aksion i titulluar “Dita e Drurit – mbjell ardhmërinë tënde”.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button