fbpx

Mjerim, Haraçina ende pa poliklinikë dhe pa shkollë të mesme

Banorët e komunës së Haraçinës ankohen se nuk kanë poliklinikë si dhe shkollë të mesme. Ata thonë që këto dy institucione janë mese të nevojshme.

Rreth 300 nxënës çdo vit përfundojnë shkollën fillore dhe për të vijuar mësimin shkojnë deri në lagjet Veri, Karposh dhe Çair për të ndjekur mësimin sepse kryesisht në këto lagje ndodhen shkollat në gjuhën shqipe, thonë për Portalb banorët.

“Ka shumë nxënës te ne si dhe nga Hasanbegu që është mjaft afër. Do të ishte shumë mirë që të investohet dhe të ndërtohet objekti për të cilin tani më shumë herë është folur por asgjë nuk është bërë. Moti kohë përmendet ndërtimi i një shkollë të mesme po ja që e gjithë kjo ngel vetëm fjalë dhe asgjë më shumë”, tha Burim T., banor.

“Është shumë larg na duhet të udhëtojmë me dy autobusë dhe të zgjohemi shumë më herët dhe kur të kthehemi bëhet shumë vonë. Po ta kishim shkollën më afër do të ishte më sigurt edhe për ne. Sidomos kur ndodhin rrahje dhe sulme në autobusët me të cilët udhëtojnë shqiptarët kemi shumë frikë”, tha K.T. nxënëse.

Banorët gjithashtu drejtojnë ankesa edhe drejt ministrit të shëndetësisë, dhe kërkojnë që të ndërtohet një poliklinikë pasi që në këtë komunë jetojnë mbi 17 mijë banorë si dhe të zgjidhjet një herë e përgjithmonë problemi me caktimin e terminit.

“Ministri duhet ti ndez ndonjëherë dritat e gjata. Pasi që vet jam i Haraçinës, them se kjo komunë ka nevojë për poliklinikë. Këtu kemi nevojë për Internist, neurolog, nefrolog, urolog, RTG, gjinekolog etj. Dhe këto janë një pjesë e problemeve, sepse deri sa njerëzit vdesin për një intervenim më të vogël, diku vendosen përmendore të ndryshme”, tha për Portalb, Bujar Jaji, banor.

Ai shtoi se në fakt është hapur një poliklinikë private, mirëpo aty mungojnë shumë aparate të ndryshme.

Nga Ministria e shëndetësisë ende nuk kemi marrë përgjigje lidhur me mundësinë dhe nevojën e hapjes së poliklinikës në këtë komunë, ndërkaq nga Ministria e Arsimit dhe shkencës (MASH), zëdhënësi Goran Galevski tha për Portalb, se ndërtimi i objekteve shkollore është në planin e investimeve të MASH, në të cilin bën pjesë edhe ai i shkollës së mesme në Haraçinë, mirëpo nuk bën të ditur se kur është paraparë të fillojë dhe të përfundojë ky objekt si dhe sa mjete janë parashikuar të ndahen për realizimin e tij.

Po ashtu shkolla e mesme në këtë komunë u përmend edhe në platformën e BDI-së me afat realizimi 2013 – 2017. Banorët u shprehen skeptik por sërish thonë që shpresa vdes e fundit.

 

Platforma e BDI-së
Platforma e BDI-së

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button