Mancinin nuk e ka trembë disfata e parë me Interim

Pavarësisht humbjes së parë në drejtimin e Interit, Roberto Mancini shfaqet me besim të plotë. Pas humbjes së pësuar me Romën trajneri zikaltërve tregon kurën që i duhet skuadrës për t’u ringritur.

“Duhet të ndryshojmë mentalitet dhe të mendojmë si Interi. Futbollistët kanë të gjithë dëshirë të përmirësohen, të ndryshojnë dicka dhe kjo është një nga anët pozitive të sfidës në Olimpico, në një ndeshje ku vështirësitë dhe gabimet kanë qenë evidente. Kudo që kam qenë ka pasur shumë për të rregulluar, por e dimë që gjithcka bëhet për më mirë”.

Besimi për t’u rikthyer skuadra e dikurshme është i madh tek Mancini që kur i përmend zonën Champions kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë, raporton SuperSport.

“Është dicka e mirë që të arrish disa objektiva që sot duken të pamundur por për momentin nuk duhet të shohim klasifikimin. Aktualisht duhet të bëjmë 2-3 fitore për të shtuar stimujt. Kemi 4 ndeshje deri në hapjen e merkatos së janarit, dhe është shumë e rëndësishme të marrim sa më shumë pikë dhe më pas do të shohim”.

Ardhja e Mancinit në stolin e Interit është shoqëruar me ndryshimin e modulit të lojës, pavarësisht se skuadra është e ndërtuar për të luajtur në një modul që nuk i shkon për shtat ideve të trajnerit.

“Jam i gatshëm të luaj edhe me modulin e vjetër. Nuk është rreshtimi 3-5-2 apo 4-4-2 që bën diferencën, pasi gabimet e bëra vijnë nga frika dhe humbja e besimit. Një skuadër nuk fiton nga sistemi i lojës, por ne duhet të ndryshojmë së pari mentalitetin edhe nëse kalojmë në momente zhgënjimi”.

Në fund Mancini nuk mund të anashkalojë një fjali për shkarkimin e Prandellit nga Galatasaray, duke shprehur keqardhjen për ish trajnerin e Italisë, të cilit sipas Mancinit nuk iu dha koha e duhur në krye të skuadrës turke.

Lajme të ngjashme

Back to top button