Ahmeti përgatit teren për të amortizuar sulmet ndaj BDI-së

Maqedonia është futur në një errësirë politike, ku skenarët ndërthuren në çdo hap dhe nga çdokush. Analistët vlerësojnë se një skenar po aq i pakuptimtë sa “bomba” e Zaevit konsiderohen deklaratat e djeshme të liderit të BDI-së, Ali Ahmetit se vendi ka shumë probleme të cilët kërkojnë zgjidhje të guximshme, zgjidhje që mund të jenë të papritura dhe jashtë programit politik partiak.

Alajdin Demiri deklaron për Portalb se deklaratat e Ahmetit janë jopolitike që tregojnë krizën e thellë të pushtetit e cila po bën manovra që nuk zgjidhin atë. Në këtë errësirë të transparencës skenarët po thuren vetë, shprehet ai.

“Deklaratat e Ahmetit në Kuvendin zgjedhor të Degës së BDI-së në  Tetovë janë pak sa jo-politike, realisht në brendi përmbajnë një krizë të thellë të pushtetit e cila krizë tani më eksplodon në aspektin ekonomik, por edhe të integrimeve dhe të marrëdhënieve ndëretnike. Jo-kapaciteti udhëheqës përsëri do të kërkohet tek opozita përsëri do të kërkohet jashtë vetes dhe do të tentohet me çdo kusht, zgjedhje të pakuptimta e të parakohshme as të pazakonshme, të dilet nga kriza. Mirëpo këto manovra të pushtetit jo që nuk zgjidh krizën, por vetëm e thellojnë me makijazhe të reja dhe avaz të vjetër”, thotë Alajdin Demiri.

Sipas Demirit, bomba e LSDM-së që deri tani projektohet të plas me sa më shumë efekte kundër VMRO-së, mund të jetë vetëm ndonjë marrëveshje tinëzare e Gruevskit me Ahmetit, mund të jetë ndonjë marrëveshje për rastin “Monstra” ose aferë tjetër që i prek marrëdhëniet ndëretnike. Këto janë supozime.

“Asnjë aferë tjetër nuk mund të jetë boll që të dëmtojë Gruevskin, sepse aferat e korrupsionit i pamë dhe u dënua opozita. Aferat tjera korruptive nuk mund të jenë aq të rënda siç i paralajmëron LSDM-ja. Mirëpo ekziston dhe mundësia që ky të jetë dhe një blof i opozitës që të frikësohet Gruevski dhe të fillojë vetë t’i shpalos dobësitë e veta. Nga ana në këtë errësirë të transparencës të çështjeve vitale për Maqedoni çdo gjë është e mundur. Se kur mungon transparenca skenarët po thuren vetë dhe Maqedonia është duke u specializuar me këto lloj skenarësh duke filluar nga atentati i kryetarit Gligorov, vdekja e presidentit, Trajkovski, lufta e 2001 dhe shumë koalicioneve jashtë arsyeve të transparencës”, thotë për Portalb, Alajdin Demiri.

BDI përgatit teren që të mund t’i amortizojë sulmet politike

Publicisti Ibrahim Memeti, thotë për Portalb se duket pak e çuditshme Ahmeti të flet ashtu sepse bëhet fjalë për një parti që është pjesë e ekzekutive dhe deklarimet e tilla është i paqartë dhe mund të interpretohet në mënyra të ndryshme.

“Vendi ballafaqohet me shumë probleme dhe zgjidhjet mund të jenë të paparashikueshme, situata është enigmatike. BDI është në pushtet dhe ajo vetë mban përgjegjësinë që ndodh në qeveri. Është e qartë se ka pakënaqësi te qytetarët shqiptarë dhe kjo është arsyeja se BDI tani del me një ton të ndryshëm nga ajo që ka qenë më parë. Gjithçka ka qenë në mbështetje të qeverisë dhe tani ndoshta nuk është hera e parë, por duket se është me e zëshme si distancim nga ajo që ndodh në politikën e vendit dhe paralajmëron se BDI përgatit teren që të mund t’i amortizojë sulmet politike ndaj saj. Tani kemi një lëvizje të re në politikën e vendit dhe duket se kjo e ka nxitur BDI-në të jetë më e zëshme por çfarë do të ndodhë nga kjo pritet të shihet në të ardhmen”, thotë për Portalb, Memeti.

Lidhur me bombën e paralajmëruar të LSDM-së Memeti, thotë se është jo-korrekte të paralajmërohet diçka dhe të mos shpaloset se çfarë është ajo. Sipas tij, nëse ka diçka është mirë ta shpall në momentin që e thotë. Sa o përket asaj se kjo mund të ketë ndikim , por nga ana tjetër shqiptarët nuk mendoj se do të befasohen sepse edhe kjo që duket është e zymtë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button