Jakupi, Memeti: Nuk ka ankesa për votim me dokumente false

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Avokati i Popullit mohojnë që të kenë regjistruar ankesa për votim me dokumente false gjatë procesit zgjedhor, ashtu siç u ngritën dyshimet pas paraqitjes së punishtes së përpunimit të pasaportave false, të publikuar nga revista “Fokus” pak ditë më parë. Megjithatë, për aq kohë sa nuk ka dhëna të plota hetimore mbi punishten, atëherë edhe dyshimet mbeten thjesht në kuadër të fjalëve. Subhi Jakupi thotë se LSDM-ja dhe BDI-ja patën ankesa për pasaportat e banorëve të Pustecit për shkak të adresës, por këto ankesa prapëseprapë u rrëzuan ose mbivotuan, si në KSHZ ashtu edhe në Gjykatën Administrative.

“Për kështu dukuri nuk ka pas parashtresa, të gjitha parashtresat që ishin nga LSDM-ja, BDI-ja ishin për pasaportat biometrike që kontestoheshin për ata të Pustecit, kurse çështjet e kësaj natyre që ne i dëgjuam edhe në ‘Fokus’, nuk ka pas ndonjë parashtresë, as nga vëzhguesit e LSDM-së ose opozitës e as nga ndonjë vëzhgues tjetër nuk ka pasur në KSHZ shkresë zyrtare”, tha Subhi Jakupi, Nënkryetar i KSHZ-së.

Nga ana tjetër, edhe avokati i Popullit Ixhet Memeti mohon të jetë regjistruar ndonjë parregullsi e llojit si votim me dokument të falsifikuar gjatë procesit të fundit zgjedhor. Memeti thotë se askush nuk do të paraqiste ndonjë parregullsi, në qoftë se atë nuk e paraqesin institucionet kompetente, duke shtuar se organ përgjegjës për kujdesen e regjistrit zgjedhor është Komisioni Shtetëror Zgjedhor.

“Gjatë procesit zgjedhor, në adresë të avokatit të popullit ka pasur mjaft ankesa nga qytetarët të cilët nuk kanë mundur ta realizojnë të drejtën e tyre për të votuar, gjatë ditës së zgjedhjeve por edhe gjatë procesit parazgjedhor. Qytetar që të jetë ankuar se votuesit vijnë dhe votojnë më dokumentacion të falsifikuar, në një ankesë të tillë unë nuk kam hasur ”, deklaroi Ixhet Memeti, Avokat i Popullit.

Sipas Memetit, në rast se vërtetohet afera e të përjavshmes “Fokus” për fabrikën e përpunimit të pasaportave të Maqedonisë, vepra duhet dënohet rëndë. Memeti shton se rasti duhet zbardhet dhe duhet dënuar kryerësit e veprës apo shpifësit në rast se nuk është e vërtetë.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button