KB Liria gati për turneun e madh në Prishtinë

Ekipi basketbollistik Liria nga Shkupi, po vazhdon me përgatitjet intensive për sezonin e ri basketbollistik, ku edhe këtë vit pritet të jetë një ndër ekipet pretenduese për kreun e tabelës.

Skuadra nga Çairi këtë sezon përkundër faktit se ka sjellë disa përforcime në ekip, ajo këtë edicion të ri do ta fillojë dhe në sallën e re sportive “Shaban Tërstena” në Çair, me emblemë të re të klubit, fanella të reja dhe skuadër të fortë.

Pikërisht kështu është treguar Liria edhe në miqësoren e zhvilluar të shtunën në sallën e Shkollës së Mesme “Zef Lush Marku” në Shkup, ku për kundërshtarë kishte Bashkimin nga Prizreni. 
Në këtë ndeshje për herë të parë me ekipin luajti dhe përforcimi i madh i shkupjanëve, amerikani Tayron Nared, i cili tregoi se do të jetë dominues në kampionatin e Maqedonisë. Sipas përfaqësuesve të KB Liria Nared vjen nga Bostoni, përndryshe ka qenë pjesë edhe e skuadrës së madhe evropiane, Barcelona të Spanjës. Në këtë ndeshje me lojë të mirë u dalluan edhe dy përforcimet nga Mali i Zi, Marko Mijoviq dhe Milo Gjurishiq. Deri sa jemi te përforcimit të cekim edhe atë se sivjet te Liria kanë ardhur edhe Goran Samarxhiev dhe Bojan Trajkovski, të dy këta vitin e kaluar ishin anëtar të Feni Industri nga Kavadari. Ndër ata që kanë përforcuar skuadrën është edhe i riu shqiptar që vitin e kaluar ishte arma kryesore e NBA Çair në luftë për titull kampion, Jetmir Zeqiri.

(Goran Samarxhiev, Labinot Idrizi dhe Tyron Nared në mbrojtje)

Menjëherë nga e marta Liria udhëton drejt Kosovës, ku në Prishtinë do të organizohet një turne i madh ndërkombëtarë. Turneu do të zgjatë deri më 26 shtator, ku marrim pjesë dy ekipe nga Turqia,” Tranbzon” dhe “Aiaga Pektin” si dhe ekipi nikoqir Sigal Prishtina.
Ndryshe, përveç turneut në Prishtinë, skuadra e Lirisë në muajin e ardhshëm, respektivisht me 1-3 tetor do të merr pjesë në një turne në Bullgari, ku pritet të luaj tre ndeshje me skuadra nga ky vend, njëra prej tyre do të jetë Levski i Sofjes.
Ekipi i basketbollit Liria po vazhdon me stërvitjet intensive për kampionatin e ri, ndërsa ndeshjen e parë e luan me 12 tetor, kurse kundërshtar i parë i tyre do të jetë skuadra e Pelisterit nga Manastiri.

Ja dhe përbërja e KB Liria për sezonin 2013-2014
Labinot Idrizi (kapiten), Toni Simiq, Dime Tasovski, Bobi Stajiq, Nikola Karakolev, Goran Samarxhiev, Bojan Trajkovski, Ardit Mehmedi, Erdin Jakupi, Jetmir Zeqiri, Marko Mijoviq (Mali i Zi), Milo Gjurishiq (Mali i Zi), Tajron Nared nga USA. 
Trajner: Marjan Ilievski dhe ndihmës i tij Mite Manevski Kamarad. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button