Kërkohet kthimi i të shpërngulurve nga Kosova

Përfaqësuesit qeveritar nga Prishtina, Beogradi, Podgorica dhe Shkupi kërkuan sot mundësinë për kthimin e personave të zhvendosur nga Kosova.

Nën organizimin e Misionit të OSBE­së u organizua kjo konferencë me qëllim përkrahjen dhe përpjekjet e qeverive për gjetjen e zgjidhjes së përhershme për personat e zhvendosur të Kosovës.

Sipas të dhënave të OSBE­së, në Maqedoni gjithsej ka 869 persona të shpërngulur nga Kosova, në Serbi ka mbi 200 mijë dhe në Mal të Zi 10 mijë e 595.

Zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale Ibrahim Ibrahimi theksoi se Maqedonia ka bërë hap të madh në zgjidhjen e problemit të refugjatëve.

“Por padyshim se duhet të bëhet hap i madh në periudhën e ardhshme në raport të atyre të cilët dëshirojnë të kthehen në Kosovë. Nevojitet jo vetëm zgjidhja e problemit të banimit por edhe zgjidhja e punësimit, duke e përfshirë edhe procesin e arsimit, mbrojtjes shëndetësore dhe faktorit të sigurisë. Presim se nga Maqedonia 150 persona duhet të kthehen në Kosovë, të cilët kanë shfaqur interes”, tha Ibrahimi.

Pjesa më e madhe e 869 personave të zhvendosur, përkatësisht 618 kanë shfaqur dëshirë që të integrohen në shoqërinë e Maqedonisë, ndërsa qindra do ta rregullojnë statusin e tyre në vend tjetër.

“Ato njerëz që janë dëbuar nga Kosova presin përgjigje jo të çështjeve të mëdha politike, por ku do të jetojnë, prej çka do të jetojnë, a do të ketë punësime, a do të kenë mbrojtje shëndetësore, si është siguria dhe si do të jetë e ardhmja e jetës së tyre. Përgjegjësia jonë është t’ju ofrojmë përgjigje gjithëpërfshirëse në ato pyetje”, deklaroi Marko Gjuriq, drejtor i zyrës për Kosovë në Qeverinë serbe.

OSBE

Ai është i bindur se arsyeja për mungesën e kthimit është ajo që qeveritë nuk kanë arritur në tërësi të përgjigjen në këto pyetje të rëndësishme për të shpërngulurit.

“Përqindja e atyre të cilët janë kthyer në Kosovë pas konfliktit të vitit 2001 është shumë e vogël”, thotë ministri kosovar për Bashkësi dhe Kthim Dalibor Jevtiq. Është disfatë, shton ai, që më pak se dhjetë për qind e të zhvendosurve janë kthyer në Kosovë.

Përfaqësuesit e këtyre katër vendeve, si dhe ato të OSBE­së dhe UNHCR­së u pajtuan se nevojitet bashkëpunim më i madh ndërqeveritar dhe vullnet i shprehur fuqishëm nga të gjitha palët për thellim të bashkëpunimit, si në nivel politik ashtu edhe në teknik.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button