Vjedhja në BSH, 10 ish-zyrtarë pranojnë akuzën

Në seancën e djeshme, ndaj 15 të akuzuarve për skandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, 10 prej të pandehurve i kanë kërkuar Gjykatës së Tiranës gjykim të shkurtuar duke pranuar kështu edhe akuzën e ngritur ndaj tyre për “Shpërdorim detyre”, lidhur me vjedhjen e 713 milionë lekëve në thesarin e Bankës së Shqipërisë. Njëri prej të pandehurve Bashkim Xhilaga përveç kërkesës për gjykim të shkurtuar ka paraqitur kërkesën edhe për lirinë nga burgu.

Dy të pandehur të tjerë kërkuan ndarje të çështjes ndërsa tre të tjerë nuk kanë paraqitur asnjë kërkesë. Ndërkohë, të pandehurit ishzyrtarë të bankës së Shqipërisë, mes të cilëve edhe ish-kryeinspektorja Elivar Golemi dhe ishdrejtori i Emisionit të Parasë në Thesarin e Shtetit, Dorian Çollaku ishin të pranishëm dje në gjykatë. Golemi, e cila u lirua nga qelia pak ditë më parë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, nëpërmjet avokatit të saj Fatos Shanaj kërkoi dje ndarjen e çështjes nga të pandehurit e tjerë. Sipas avokatit Shanaj, nuk ka asnjë arsye ligjore që procedimi nga Golemit të bëhet bashkë me 14 të akuzuarit e tjerë.

Të njëjtën kërkesë bëri edhe i pandehuri Petrit Ramohitaj, ish- përgjegjës i arkës në veprim në Bankën e Shqipërisë. Bashkim Xhilaga, me detyrë shef i arkës stok në veprim në BSH, kërkoi lirimin nga burg. Sipas avokatit, Xhilaga u shkarkuar nga detyra më 1 gusht të këtij viti, dhe në këtë mënyrë nuk mund të ndikojë në prishjen e provave duke mos qenë në detyrë. Por kërkesa e tij është hedhur poshtë nga prokuroria.

Ndërkohë që Xhilaga së bashku me tetë të pandehur të tjerë, mes të cilëve ish-Drejtori i Emisionit Dorian Çollaku dhe ishpunonjësit Lavdim Cani, Myzejen Belba, Liljana Tusha, Dhimitër Davidhi, Gentjan Jahja, Fatbardha Gurthi, Bahri Allushi si dhe Bedri Marku kanë paraqitur kërkesën për gjykim të shkurtuar. Kërkesat e 10 të pandehurve u pranuan nga prokurori i çështjes i cili ka paraqitur edhe kërkesën për ndarje të çështjes për pesë të pandehur. /Shekulli/

Lajme të ngjashme

Back to top button