Dita Luarasi Abdiu: Unë gjithmonë jam e lumtur (Intervistë)

Gjërat e bukura në Tetovë mbajnë nënshkrimin e Ditës. Ajo në intervistë përgjigjet shumë qartë dhe shumë mençur. Tregon se si është e dhënë shumë pas punës dhe nuk ka kohë as edhe të lexoj libra. Ajo e zbulon edhe sekretin se si njerëzit të gjejnë inspirim, por edhe se si të jenë të lumtur në punën që bëjnë. Flet edhe për gjendjen e mediave në Maqedoni, por edhe se si të gjejmë punë. Lexojeni dhe shpërndajeni këtë intervistë për të motivuar edhe të tjerët!

Intervistoi: Venhar Ramadani

Dita, ju punoni për LD Studio dhe deri tani keni bërë shumë projekte interesante. Të rinjtë e Tetovës e kanë më të freskët projektin e ndërtimit të kafenesë Garden? Çfarë momenti ju duhet për të krijuar?

D.Abdiu: Ashtu është! Garden është një prej projekteve të fundit të “LD studio”-s, për të cilin mund të them se na solli vërtet një famë të madhe. Në kët rast, nuk i gëzohem shumë famës, por faktit që arritëm të realizojmë një projekt që meriton vëmendje. Krijimi i një vepre arkitektonike është një proces i tërë mendimesh dhe pune, por ideja kryesore fshihet në momentin, po! Problem është se nuk e din se kur vjen ai moment, si që ka thënë Twombly “when I work, I work very fast, but preparing to work can take any length of time”.

Pablo Pikaso ka thënë: ‘Armiku kryesor i krijimit është shija e ‘’mirë’’.’ A do të pajtoheshit me këtë?

D.Abdiu: Po, ashtu ka thënë Picaso, por “good” e ka nën thonjëza, që do të thotë që kemi një “mirë” të potencuar dhe vallë, a është kjo e mire vërtet e mirë. Në realitet, nuk e di se çka saktësisht ka dashur të thotë me shije e “mirë”. Shpresoj që kjo shije e “mirë” është diçka e rëndomtë, diçka që shumica e pranon si të “mirë”, ndërsa kjo është ajo që i pengon një artisti të jetë i veçantë. Artisti nuk guxon të punojë sipas rregullave të caktuara, duhet të jetë i liruar nga e rëndomta dhe përditshmëria.

Çka është shije e mirë për ju?

D.Abdiu: E kam shumë rëndë kur më duhet të flas për shije. Sa më shumë mendoj për atë se çka është shija, aq më pak e kuptoj. Vallë a ekziston shije e mirë dhe e keqe. Edhe pse e përdor këtë fjalë nga 30 herë në ditë, mendoj që nuk ka njeri që mundet ta definoj se çka është shije e mirë ose e keqe.

Nga e merr inspirimin kur dëshiron të bësh diçka?

D.Abdiu: Inspirimi është një nga gjërat kryesore në art dhe atë duhet ta gjesh në çdo gjë që të rrethon. Për këtë, do ta përsëris: doemos duhet të largohesh nga e rëndomta dhe ta lëshosh kreativitetin të kërkoj inspirim në çdo kënd të mundshëm, asnjëherë nuk i dihet, prej nga, çka do të del.

Si e përshkruani punën tuaj? A jeni e dhënë pas punës?

D.Abdiu: Unë jam tip që nuk mundet të qëndroj në një vend. E urrej monotoninë dhe kam nevojë të jem në lëvizje. Dmth në asnjë mënyrë nuk mundem të qëndroj gjith ditën në një vend dhe të punoj, për këtë edhe e adhuroj punën time, jo vetëm që është kreative por edhe kërkon lëvizje konstante. Jam shumë e kënaqur që kam punë që i përshtatet personalitetit tim. Punoj me këmbëngulje, gjatë realizimit të projektit nuk lejoj lehtë që të bëhen ndryshime nga koncepti i paramenduar.

A jeni perfeksioniste?

D.Abdiu: Perfeksioniste! – Nuk e di nëse mund të llogaritem në grupin e perfeksionistëve. Çka në realitet është perfeksionizmi dhe pse është si term kur në realitet nuk ekziston. Stephen Hawking ka thënë: një nga rregullat bazë të universit është ajo që asgjë nuk është perfekte. Perfeksioni thjesht nuk ekziston.

A bëni shumë pregatitje para çdo projekti apo i besoni spontanitetit?

D.Abdiu: Kur filloj të punoj një projekt, pa marrë parasysh nëse është shtëpi private, kafeteri ose ndonjë gjë tjetër, çdonjëri i nënshtrohet të njëjtit proces pune, të gjitha projektet kanë të njëjtën vlerë dhe punohen me shumë dashuri. Kështu, përgatitjet padyshim janë pjesë e procesit, ndërsa kohëzgjatja e përgatitjeve është ngusht e lidhur me inspirimin.

A jeni e lumtur me atë se ku ka arritur karriera juaj?

D.Abdiu: Unë jam e lumtur gjithmonë.

Si i merrni kritikat? Si mund të ndikojë kritika në punën tuaj?

D.Abdiu: Kritikat! Pasi kam vendosur të punoj këtë që e punoj – të krijoj, të krijoj diçka që të tjerët duhet ta shijojnë, atëherë kam vendosur edhe të pranoj kritika. Kritika është pjesë e punës dhe ajo aspak nuk duhet të pengoj. Dua të pranoj kritika, qofshin ato pozitive apo negative. Çka do të ishte një arkitekt nëse vepra e tij nuk do të kritikohej …

A i friksoheni dështimit?

D.Abdiu: Normal që i friksohem dështimit, por mendoj që nëse mundohesh aq sa duhet për të arritur, suksesi është i pashmangshëm, gjithsesi!

A jeni optimiste apo pesimiste për të ardhmen?

D.Abdiu: Unë gjithmonë jam optimiste, përse ka nevojë njeri të jet pesimist.

A keni plan B në jetë?

D.Abdiu: Plane asnjëherë nuk kam pasur, as që do të kem. Nuk dua të bëj plane, pasi pas mosrealizimit të tyre vjen dëshpërimi dhe kjo është një gjë që nuk dua të më ndodhë. Unë jam person spontan dhe e pëlqej këtë jetë.

Ju jeni bërë mjaft e suksesshëme gjatë këtyre viteve. Si e manovroni famën tuaj?

D.Abdiu: Unë aspak nuk ndihem si e famshme, në fakt mendoj se nuk jam aspak e famshme dhe nuk më pëlqen të kem jetë të një personi me famë. E dua thjeshtësinë dhe mendoj se, pa marrë parasysh sa famë dhe pasuri të kem, do të ngelesha përsëri modeste.

Çfarë jeni duke lexuar për momentin?

D.Abdiu: Për momentin, jam tepër e zënë me punë dhe për fat të keq, përveç internetit asgjë tjetër nuk kam në listë për të lexuar.

Si përfunduat me këtë profesion?

D.Abdiu: Që në moshën 11 vjeçare dëgjova për “arkitektin” dhe fillimisht u dashurova në vet fjalën e pastaj edhe në atë se arkitekti ndërton shtëpi. Gjithmonë kam dashur të bëj diçka, të krijoj. Kështu e dashuruar në “arkitektin” ngela deri sa erdhi koha të regjistrohem në fakultet, ku pa dyshim ishte arkitektura. Unë jam aq e dashuruar në profesionin tim, sikur të duhej edhe njëherë të zgjedh fakultet, do të zgjedhja arkitekturën.

Cili është filmi juaj i preferuar?

D.Abdiu: Ahhh, muzikën dhe filmin i kam pika të dobta. E kam shum rëndë të dalloj një film si më të preferuarin. Pëlqej: dramë, biografi dhe filma psikologjik. Nëse do të duhej patjetër të vendos për një, ja të themi “Frida”.

Cili është libri juaj i preferuar?

D.Abdiu: Librat i dua shumë, më parë lexoja shumë, por kohëve të fundit sikur e kam lënë pas dore dhe nuk ndihem shum mirë për këtë. Mendoj që sado që të jemi të angazhuar, duhet të ndajmë pak kohë për të lexuar. Edhe këtu e kam shumë të vështirë ta dalloj një titull, por ja pasi mendoj që është i vetmi libër që nuk të bëhet i mërzitshëm, do të them “Ashtu fliste Zaratustra”.

Kur ndiheni më të dobët?

D.Abdiu: Kur jam me grip.

Kush e ka fajin për pa punësinë që aktualisht është mbi 35%?

D.Abdiu: E kanë fajin 2 milion njerëz..

Çka mendoni për televizionin si media? Si mund të rinjët të zhvillohen nëpërmjet programeve televizive?

D.Abdiu: Televizioni si media, sidomos në vendin tonë, është në gjendje të mjerueshme. Niveli është aq i ulët sa nuk ia vlen të diskutohet. Degradim më duket fjala e vërtetë për televizionin sot.

A është suksesi në punë çelës drejt lumturisë? Si mund të arrijë lumturinë rinia?

D.Abdiu: Lumturia është gjendje mentale, e cila në asnjë mënyrë nuk është e varur nga suksesi. Për të qenë i lumtur njeriu nuk ka nevojë të jetë i suksesshëm ose i pasur. E gjithë kjo mund të jetë e përkohshme, por lumturia e përkohshme nuk është e vërtetë. Rinia duhet të jetë positive në jetë, pa marrë parasysh se a do të jenë të suksesshëm apo jo, lufta për një të nesërme më të mirë është gjithnjë e nevojshme.

A mendoni se prindërit kanë patur ndikim në karrierën tuaj? A duhet të rinjtë të konsultohen me prindërit për hapat në karrierë?

D.Abdiu: Mendoj që çdo prind duhet të ndikoj në profesionin e fëmijës së vet, pa marrë parasysh se a e pëlqen atë profesion apo  jo, duhet ta përkrah, t’i jep vullnet dhe guxim atij, që suksesi të jetë i garantuar J. Por, nëse prindi këmbëngul, që fëmia të vazhdoj një profesion që nuk e pëlqen ai vet, atëherë mendoj se edhe suksesi i të riut është në pyetje. Profesioni ka nevojë për dashuri që të përfundojë me sukses!

Si duhet të veprojë një i ri i pa punë?

D.Abdiu: Duhet të mundohesh, të gjesh se çka në të vërtet don dhe mundesh të punosh dhe puno, do të kisha thënë me shumë përkushtim. Mendoj se askush nuk duhet të rijë dhe të pres që dikush t’i jep punë, atë duhet ta gjesh vet.

A janë startup-et zgjidhje për të zbutur pa punësinë e të rinjëve?

D.Abdiu: Startup-et janë të lodhëshme dhe të mundimshme. Padyshim që janë një zgjidhje, por nuk besoj që munden të kenë ndikim për ta zbutur papunësinë në nivel shtetëror.

Si e shikoni të ardhmen e të rinjve në Maqedoni?

D.Abdiu: Për momentin, në Maqedoni, gjendja nuk është për tu lavdëruar. Për fat të keq, në një të ardhme të afërt nuk shoh ndryshime pozitive.

Kjo intervistë është bërë nga Vizione.info dhe Portalb.mk i ka të gjitha të drejtat e publikimit të intervistës, sipas marrëveshje së arritur mes palëve. Për më shumë intervista, ndjekni VIZIONE në rrjetet sociale.

Lajme të ngjashme

Back to top button