Honoraret goditje e shtetit në xhepat e qytetarëve për të mbushur buxhetin

Nga 1 janari i vitit 2015 do të zbatohet mënyrë e re e pagesës së sigurimit pensional, invalidor dhe kontributit për sigurim të detyrueshëm shëndetësor për personat që firmosin kontratë në vepër, kontratë për autorësi ose kontratë për punën e kryer fizike dhe intelektuale, me të cilat përcaktohet kompensimi për punën e kryer e cila në shumën neto është më e lartë se sa paga mujore minimale, që është 8600 denarë, e që nga viti i ardhshëm do të jetë 9500 denarë. Kjo vlen për ata që nuk janë të punësuar dhe që marrin honorare, por edhe për të punësuarit që përveç pagës, kanë të ardhura tjera më të mëdha se sa paga minimale. Për honoraret e këtilla në vend të tatimit personal prej 10 %, nga viti i ardhshëm do të paguhet edhe 17.6 % për sigurimin pensional dhe 7. 3 % për sigurimin shëndetësor.

Shteti do të grumbullojë 68 milionë euro nga kontributet

Në buxhetin e vitit 2015 është parashikuar që shteti mbi bazën e kontributeve të grumbullojë 68 milion euro më shumë se sa në vitin 2014. Sipas të dhënave për vitin 2013, në Maqedoni ka pasur mbi 100 000 honoraristë dhe 27 000 persona me kontrata autoriale.

Më ndryshimet në Ligjin për sigurim shëndetësor, pensional dhe invalidor, sipas njoftimit të fondit nuk përfshihen kontratat për honoraret e sportistëve profesional, honoraret e funksionarëve, deputetëve, këshilltarëve dhe bartësve tjerë të funksioneve përkatësisht funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar, kompensimet mbi bazën e bursave dhe kontratat për punë publike, të cilat i nënshkruajnë komunat. Poashtu nuk do të paguhen kontribute sociale as për kontratat për vullnetarizëm, kompensimet për gjykatësit, porotët, për personat që merren me ekspertizë ligjore, administruesit falimentues dhe për shfrytëzuesit e pensioneve. Personat fizikë të cilët firmosin kontrata, të cilat në mënyrë të veçantë janë më të larta se sa paga minimale, ndërsa koklektivisht tejkalojnë shumën e pagës minimale, kanë detyrim që kontratat t’i paraqesin në Fondin e Sigurimit Pensional, Invalidor dhe Shendetësor (FSPISH). Me ndryshimet e reja do të bëhet sigurimi i personave që nuk kanë sigurim social përkatësisht nuk janë në marrëdhënie pune ose janë vetëpunësuar.

Si përcaktohet baza e sigurimit në raste specifike?

Baza e sigurimit në nivel mujor është kompensimi bruto i përcaktuar në kontrate, i ndarë me periudhën e kohëzgjatjes së kontratës. Nëse nuk ka kohëzgjatje të përcaktuar të kontratës, baza e pagesës së kontributit është kompensimi bruto për çdo muaj deri në momentin e përfundimit të kontratës.

Për shembull nëse kontrata për 6 muaj në shumën bruto është në vlerë prej 90 000 denarë, shuma ndahet në 6 muaj dhe baza mujore bruto është 15 000 denaë, pra është më e lartë se sa paga minimale për punëtorët në vitin vijues, që do të thotë se paguhen kontributet sociale. Nëse kontrata është arritur për 6 muaj dhe është në vlerë prej 50 000 denarëve, ndahet në 6 muaj dhe baza mujore bruto është në vlerë prej 8.333 denarë dhe nuk paguhen kontribute të sigurimeve, sepse baza është nën pagën minimale. Edhe nëse kontrata fillon në datën 10 të muajit, ndërsa kompensimi bruto është 9 000 denarë bëhet pagesa e sigurimeve, sepse shuma është më e lartë se sa baza minimale.

Po edhe pse honoraristët do të paguajnë kontributet sociale, nuk do të gëzojnë të drejtat që u takojnë me Ligjin e marrëdhënieve të punës siç janë pushimi vjetor i paguar dhe pushimi mjekësor. Kundër ndryshimeve ligjore sa i përket honorareve reagojnë subjektet ekonomike.

Sipas Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë (OPM) ndryshimet e reja do të bëjnë presion ndaj punëdhënësve, të cilët në vend se t’i paraqesin punëtorët që janë në marrëdhënie të rregullt të punës i paguajnë me kontrata në vepër, edhe pse punëtorët punojnë nga 8 orë në ditë.

Në këtë mënyrë punëtorët do t’i realizojnë të gjitha të drejtat e marrëdhënieve të punës, por edhe do të ndihmojnë në mbushjen e dy fondeve, të cilat janë në gjendje shumë të vështirë financiare”, thotë për Inbox7 Angell Dimitrov, kryetar i OPM-së.

Ndërkohë Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore të Maqedonisë (OEVMP) vlerësoi se ky vendim edhe njëherë e vërtetoi konstatimin e kësaj ode se shteti nuk mund të përballojë gjendjen aktuale ekonomike.

“Mjetet e parapara apo me mirë thënë ekonomia e vendit nuk mund t’i durojë premtimet e dhëna nga ana e VMRO-së dhe në mënyrë që ajo t’i realizojë të njëjtat, mundohet që me instrumente nga më të ndryshmet të grumbullojë mjete, ku bëjnë pjesë gjobat e ndryshme dhe Ligji për tatimimin e honorarëve”, deklaroi për Inbox7Menderes Kuçi, kryetar i OEMVP-së, duke shtuar se është kundër selektivitetit të ligjit, pasi ai përjashton kategori të ndryshme.

“Sigurisht bashkësia e biznesit nuk e arsyeton dhe nuk e pranon një masë të tillë, por mbetet ithtare e asaj që qeveria ti shtrijë këmbët, aq sa e ka jorganin, sugjerim ky që i jepet edhe në raportin e fundit të progresit nga BE”, tha Kuçi.

Edhe Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë (OPM) është kundër mospërfshirjes së disa profesionave në këtë ligj.

Negativiteti më i madh i zgjidhjes së re është pabarazia, meqë disa profesione nuk janë pjesë e ligjit. Bëhet fjalë për kompensimet e anëtarëve në këshilla drejtues ose mbikqyrës, të cilët do të paguajnë kontribute vetëm nuk janë paraqitur në sistemin e kontributeve sociale përkatësisht nuk janë të punësuar. Gjithashtu nga pagesa e kontributeve përjashtohen edhe gjykatësit, porotët, administratorët falimentues etj. Kjo i vendos qytetarët në pozitë të pabarabartë para ligjeve”, tha Angell Dimitrov kryetar i OPM-së.

Ndërsa Komiteti i Helsinkit (KH) ka reaguar kundër këtij ligji, meqë me këtë ligj goditet sektori joqeveritar.

“Ligji është jo shumë i qartë dhe parasëgjithash është e paqartë intenca e ligjdhënësit, ndërsa dihet se me këtë ligj më shumë goditet sektori joqeveritar, i cili përgjithësisht funksionon mbi bazën e pagesës së honorarëve”.

“Presim që shumë organizata joqeveritare ta ndjejnë këtë ligj dhe ndoshta disa edhe do të shuhen, për shkak të pamundësisë që ta rregullojnë këtë çështje në mënyrë përkatëse”, thuhet në reagimin e Komitetit të Helsinkit.

Kundër ligjit të ri ka reaguar edhe Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë në opozitë (LSDM). Kjo parti kërkon që nga pagesa e kontributeve shtesë të lirohen të punësuarit, të cilët marrin honorare.

LSDM-ja kërkon që vlera e honorarëve, për të cilat duhet të paguhen kontribute të dyfishta duhet të jetë 12 700 denarë, e jo 9500, ndërsa ata që marrin honorare më të larta duhet të paguajnë kontribute më të larta.

Edhe pse është një çështje që godet shumë qytetarë, partitë shqiptare nuk janë deklaruar lidhur me të, ndërsa BDI-ja në Kuvend ka mbështetur ndryshimet ligjore.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button