Festa e 28 Nëntorit, homazhe në Vlorë e Tiranë

E gjithë Shqipëria, por edhe trevat shqiptare e diaspora, festojnë këtë të premte ditën e Flamurit që shënon dhe 102-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Tirana, por edhe qytete të tjera të vendit, janë zbukuruar me simbole kuqezi. Aktivitetet e organizuara nga krerët e shtetit nuk kanë vonuar.

Në Vlorë është mbajtur një ceremoni, ku është ngritur në mënyrë simbolike flamuri kombëtar, në prani të kryeministrit Edi Rama, presidentit Bujar Nishani, kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, etj.

Nën tingujt e himnit kombëtar krerët më të lartë të shtetit kanë mbajtur një minutë heshtje. E madhe ka qenë edhe prania e banorëve të Vlorës, të pajisur me simbole kuqezi në duar, ndërsa nuk ka munguar banda muzikore.

Ndërkohë, në tragetin e linjës Vlorë-Brindizi është vendosur një flamur i madh kuqezi, në nder të kësaj dite të shënuar.

Në të njëjtën kohë, kryetari i PD Lulzim Basha ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Tiranë, përpara monumentit Nëna Shqipëri. Në fjalën e tij para mediave, zoti Basha u shpreh se sakrificat e bëra nga të parët tanë për liri dhe pavarësi nuk duhet të mbulohen nga interesat e axhendave partiake.

“Gëzuar ditën që bashkon shpirtrat e shqiptarëve, Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë. Pavarësia dhe liria e Shqipërisë i ka rrënjët në sakrificat sublime të mijëra shqiptarëve, që ndër shekuj mbajtën të gjallë flakën e lirisë kombëtare të një prej qytetërimeve më të vjetra të Evropës. Ndaj sot është një ditë në nder të tyre, në ditën dhe orën e Shqipërisë së lirë, të pavarur, demokratike dhe evropiane. Liria në gjithë dimensionet e saj, si pavarësi, pavarësi nga pushtimi nazifashist dhe pavarësi nga diktatura komuniste mori sakrifica të mëdha dhe ne sot përulemi përpara figurës së tyre. Sot ne të gjithë kemi përgjegjësinë që të mos mbulojmë kujtimin e këtyre sakrificave me interesat e axhendave partiake. Sot kemi përgjegjësinë e madhe që të punojmë për të thelluar lirinë e individit, lirinë e besimit dhe lirinë e zgjedhjes. Duke bërë këtë nderojmë amanetin e mijëra dëshmorëve të kombit dhe i japim kuptimin e vërtetë kësaj feste që festojmë sot”, tha Basha.

I pranishëm në këto homazhe ka qenë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, si dhe deputetë të tjerë të partisë më të madhe të opozitës.

Qyteti i Lushnjes, në nder të kësaj feste, e ngriti flamurin një ditë më para, me nismë të krerëve më të lartë vendorë të këtij qyteti. Ashtu si 102 vite më parë, flamuri u ngrit në mënyrë simbolike në orën 10:00.

Kryetari i Bashkisë, Fatos Tushe dhe nënprefekti Ilir Dervishi, pasi realizuan ngritjen e flamurit në prani të qindra qytetarëve të ardhur në sheshin qëndror, folën për këtë ngjarje të madhe.

Ndërkohë, edhe Prishtina është veshur me simbole kuqezi. Që mëngjesin e së mërkurës Komuna e kryeqytetit kosovar nisi vendosjen e flamurit kombëtar në rrugët kryesore, ndërkohë që gjatë ditës së sotme janë parashikuar edhe shumë aktivitete kulturore.

102-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, pastaj ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe dalja në skenë e UÇK-së, do të bëjë Prishtinën dhe qytetet tjera të festojnë kuqezi dhe me shumë aktivitete kulturore, akademi dhe koncerte.

Në Prishtinë, përveç aktiviteteve në fjalë është hapur edhe panairi i produkteve vendore me moton “Blej Shqip – Konsumo prodhime shqiptare”.

Ndërkohë, atmosfera ka filluar të ndihet prej disa ditësh edhe nëpër botë, kudo ku jetojnë shqiptarë. Pjesëtarë të shoqatës shqiptaro-kanadeze ngritën më herët flamurin shqiptar përpara godinës së Parlamentit në Ontario për të shtatin vit radhazi, ku të pranishëm ishin edhe personalitete kanadeze si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar që jeton atje.

Gjatë këtij eventi u nderuan 12 personalitete brenda dhe jashtë Kanadasë, ndërsa për herë të parë u shpall edhe muaji i “Trashëgimisë Shqiptare” me pjesëmarrjen e ministrave dhe deputetëve kanadezë, të cilët vlerësuan komunitetin shqiptar që jeton në këtë vend.

Me këtë rast Top Channel i uron të gjithë shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Luginën e Preshevës, Malin e Zi, Greqi e Itali, e kudo që ata ndodhen: Gëzuar Ditën e Pavarësisë! / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button