Krasniqi me parti të re, ndanë deputetët e PDK-së

Këto ditë pritet që Jakup Krasniqi ta bëjë publike formimin e partisë së re në kuadër të së cilës do të formohet edhe një grup i ri parlamentar me deputetët e PDK-së.

Deputetët e përfolur janë Fatmir Limaj, Hydajet Hyseni, Flora Brovina, Justina Pula – Shiroka, Muhamet Mustafa dhe Emin Gërbeshi, e ka shumë gjasa që pjesë e këtij Grupi Parlamentar të jenë edhe Nijazi Idrizi, Nait Hasani Xhevahire Izmaku e Azem Syla. Emri i partisë, sipas të gjitha gjasave do të jetë Rilindja Demokratike e Kosovës.

Që nga fillimi i këtij viti është folur e përfolur se Jakup Krasniqi së bashku me Fatmir Limajn do të formojnë një parti të re. E për një mundësi të tillë ka folur tash e sa herë vetë Jakup Krasniqi, por pa e definuar mirë se a do të formojë parti të re apo do t’i bashkohet ndonjë subjekti apo nisme të re politike.

Burime të gazetës ‘LAJM’ kanë thënë se kjo shtyrje e Krasniqit për të mos e bërë publike formimin e partisë së re ka qenë çështja e procesit gjyqësor të Fatmir Limajt, e tani kur ky proces gjyqësor ka përfunduar, të dy akterët kanë vendosur që ta bëjnë publike formimin e partisë së re, e cila sipas këtij burimi do të quhet Rilindja Demokratike e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button