Plaçkitet shtëpia e Shaban Tërstenës!

Gjatë ditës së mërkurë një situatë e pakëndshme i ka ndodhur ish-kampionit olimpik në mundje, Shaban Tërstenës. Persona të panjohur kanë plaçkitur shtëpinë e sportistit të shekullit të Maqedonisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe rrëmujë të madhe në gjithë shtëpinë. Hajnat, sipas “Alsat-m”, kanë vjedhur gjithçka që u është gjetur para syve, ndërsa përveç rrëmbimit të gjërave më me vlerë, ata kanë shkaktuar rrëmujë të madhe duke tollovitur gjithandej teshat dhe orenditë e shtëpisë.

Sipas Tërstenës hajnat kanë vjedhur një laptop, televizorin, dy orë të shtrenjta xhepi, shumë mirënjohje dhe shpërblime nga gara të ndryshme. Në laptopin e vjedhur është gjendur gjithë materiali i librit për biografinë e Shaban Tërstenës, që pritet të publikohet vitin e ardhshëm dhe që për fat të mirë ditë më parë është dorëzuar për redaktim final. Hajnat nuk kanë arritur të gjejnë medaljet olimpike të cilat rastësisht janë gjendur në vend më të sigurt. Rasti është paraqitur në polici dhe organet kompetente janë duke punuar në zbardhjen e rastit.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button