Ndërroi jetë Prof Dr.Rahim Imeri

Dje, më 27 nëntor 2014, ndërroi jetë Prof. Dr. Rahim Imeri, ligjërues në Departamentin e Gjeografisë të Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Profesor Rahim Imeri u lind më 12 dhjetor të vitit 1945 në Rakovec të Tetovës. Ka kryer Shkollën Normale “Zef Lush Marku” dhe Akademinë Pedagogjike – Dega e Artit Figurativ në Shkup. Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, Departamenti i Gjeografisë e kreu në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1973. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Zagrebit, ku mori gradën shkencore magjistër i shkencave të gjeografisë, në vitin 1981, ndërsa gradën shkencore doktor i shkencave të gjeografisë e mori në vitin 2004, në Universitetin e Tiranës. Nga viti 1973-2004 ka qenë profesor i gjeografisë në Gjimnazin e Tetovës, ku në vitin 1994 nga Këshilli Pedagogjik i Ministrisë së Arsimit të Republikës së Maqedonisë u nderua me  titullin “Pedagog i dalluar”. Prej vitit akademik 1995/96, ka ligjëruar në Departamentin e Gjeografisë të Universitetit të Tetovës. Në vitin 2004 u zgjodh pedagog në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe mori thirrjen akademike Docent në Departamentin e Gjeografisë, ku emërohet edhe shef i këtij departamenti. Në vitin 2008 merr thirrjen akademike profesor Inordinar, thirrje qe ka vazhduar ta ketë deri në vitin 2011 kur edhe u pensionua.

Ka botuar një varg punime shkencore në revistat: ,,Jehona” në Shkup, ,,Studime gjeografike” në Tiranë dhe “Acta Lingua Geographica” në Shkup. Ka botuar tekstet universitare: Bazat e turizmit dhe rajonet turistike – 2005,  Fillet e Gjeografisë – 2006 dhe dy monografi shkencore: Resurset dhe zhvillimi i turizmit në Maqedoninë Perëndimore – 2006 dhe Pellgu i lumit Shkumbin (bashkautor) – 2006.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet më 28 nëntor 2014, pas namazit të xhumasë. Me këtë rast, udhëheqësia e Universitetit Shtetëror të Tetovës i shpreh ngushëllime familjes Imeri.

Lajme të ngjashme

Back to top button