PE: Google të ndahet

Parlamenti Europian i kërkon gjigantit amerikan të teknologjisë, Google që të ndajë më vete motorin e kërkimit nga shërbimet e tjera që ofron, pas ankesave për konkurrencë të pandershme.

Vendimi nuk është detyrues, por vota i çon një mesazh të fortë rregullatorëve europianë që të tregohen më të ashpër karshi kompanisë amerikane.

Më herët politikanët amerikanë dolën kundër votës së paralajmëruar nga Parlamenti Europian, duke e cilësuar kërkesën si absurde.

Vendimi do t’i kalojë Komisionerit për Konkurrencën, Margrethe Vestager, e cila me marrjen e detyrës ka trashëguar mbi tryezë një dosje të 2010-ës me ankesat për diskriminim nga kompania amerikane të dorëzuar nga konkurentët e saj.

Google zotëron rreth 90 përqind të tregut të kërkimit në internet në Europë dhe konkurentët kërkuan që të hetohej në katër fusha; si shfaqen në motorin e kërkimit shërbimet e vetë Google në krahasim me të njëjtat shërbime që ofrohen nga kompani të tjera, si Google kopjon përmbajtjen e faqeve të tjera dhe më pas e përfshin në shërbimet e veta, ekskluzivitetin e publicitetit që u shfaqen përdoruesve gjatë kërkimit dhe çensurën e reklamave të rivalëve të vet.

Kjo është beteja e radhës në ‘luftën’ antimonopol të Bashkimit Europian me kompaninë amerikane. Mocioni u dorëzua nga deputeti kristian-demokrat gjerman, Andreas Schëab dhe liberali spanjoll, Ramon Tremosa dhe në të thuhet se e vetmja zgjidhje është ndarja që Google të ndajë motorin e kërkimit nga shërbimet e tjera që ofron.
/ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button