Grubi: Kontesti i emrit është pengesa e vetme për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe BE

Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim në Kuvendin e Maqedonisë, Artan Grubi, po qëndron në një vizitë pune në Parlamentin Europian në Strasburg të Francës në kuadër të delegacionit pjesëmarrës të Kuvendit të Maqedonisë në mbledhjen e dymbëdhjetë të komitetit të përzier parlamentar të Parlamentit Europian dhe atij të Maqedonisë.

Në diskutimin e tij në Parlamentin Evropian, siç thuhet në njoftimin zyrtar, Grubi u përqëndrua në marrëdhëniet ndërfqinjësore nëpërmjet të pasqyrimit të rrethanave me Kosovën, Shqipërinë, Bulgarinë, Serbinë dhe Greqinë.

Duke folur për marrëdhëniet me Shqipërinë, Grubi njoftoi që qeveria e Maqedonisë ka kërkuar zyrtarisht mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta qeveritare me Tiranën. Gjithashtu theksoi që prioritet në marrëdhëniet me Shqipërinë janë ndërtimi i koridorit 8, lidhja hekurudhore me Shqipërinë që do të mundësonte edhe përdorimin më intenziv të portit të Durrësit, menaxhimin e integruar të kufirit dhe bashkëpunimin ekonomik, energjetik, arsimor dhe kulturor.

Në lidhje me Kosovën, Grubi përshëndeti marrëveshjen e koalicionit midis PDK dhe LDK me shpresën që kjo shumicë stabile parlamentare do t’i përballojë me sukses sfidat para të cilave gjendet Kosova.

Ai gjithashtu theksoi se mbledhje të përbashkëta qeveritare kërkohen edhe me Prishtinën si dhe faktin që Maqedonia është gati që të nënshkruajë marrëveshje për kalim të kufirit me letërnjohtime si dhe të hapë kufirin Bellanoc – Stançiç.

“Sa më shpejt që të formohet Qeveria e re, aq më shpejt do të vijojmë me projektet e përbashkëta”, theskoi Grubi.

Ai gjithashtu ka folur edhe për marrëdhëniet me Bullgarinë me ç’rast ka përshëndetur formimin e qeverisë së re duke uruar që kryeministri Borisov të verë në veprim qëndrimin e tij gjatë të qëndruarit në opozitë që Bullgaria nuk duhet të pengojë rrugëtimin e Maqedonisë drejt NATO dhe BE. Maqedonia dhe Bulgaria duhet të nënshkruajnë marrëveshjen për fqinjësi të mirë sa më shpejt dhe të intensifikojnë lidhjen nëpërmjet të koridorit 8 dhe tregëtinë e ndërsjellë.

Ndërsa, në lidhje me Greqinë, Grubi ka folur për domosdoshmërinë e zgjidhjes së çështjes së emrit dhe për nevojën e uljes së palëve në tavolinë negociuese për të arritur kompromis nëpërmjet dialogut të drejtpërdrejt.

Sipas tij e vetmja alternativë e Maqedonisë është NATO dhe Bashkimi Evropian, prandaj edhe i ftoi deputetet dhe institucionet e BEsë që të angazhohen drejtpërdrejt në lehtësimin e dialogut midis Shkupit dhe Athinës.

Lajme të ngjashme

Back to top button