Gëzuar festën e flamurit, Emine Krasniqi-Marigona e Kosovës!

Flamuri shqiptar – shqiponja dykrerëshe e zezë në sfondin e kuq – është simboli më sublim i shprehjes së identitetit të shqiptarëve, kudo që jetojnë ata. Ky flamur ka mbajtur gjallë qenësinë shqiptare në rezistencën kundër pushtuesve të huaj, sidomos gjatë shekullit XX. Flamuri është dëshmi e besnikërisë ndaj atdheut dhe ndaj kombit. Prandaj, përderisa në pothuaj të gjitha shtetet e botës presidenti betohet mbi Biblën apo Kuranin, në Shqipëri betimi i tillë bëhet para flamurit.
Pas 28 Nëntorit 1912, shqiptarët e Shqipërisë ishin të lirë ta përdorin këtë simbol kombëtar, por e njëjta nuk vlente për shqiptarët e Kosovës. Ishte pikërisht ky mohim që cenonte më së shumti përkatësinë e tyre etnike, por edhe që përforconte bindjet patriotike dhe ndjesinë për rezistencë ndaj pushtetit jugosllav.
Historia e përdorimit të flamurit shqiptar në ish-Jugosllavi ndryshonte varësisht nga klima politike: herë lejohej përdorimi, e herë ndalohej – si u tekej serbëve që s’na bënin hesap. Pas Luftës së Dytë Botërore, me mbetjen sërish të padrejtë të Kosovës në ish-Jugosllavi, në heshtje dhe pa asnjë vendim u ndalua përdorimi i tij. Madje, shumë shqiptarë u dënuan me burg të rëndë, vetëm pse atyre u është gjetur ky flamur.
                                              Emine Krasniqi- Marigona e Kosovës!
Familja jonë mburret që i kemi dhënë kombit me dhjetëra dëshmorë dhe dhjetëra të burgosur politikë. E një ndër ta është edhe Heroina Shqiptare, Emine Krasniqi-Marigona e Kosovës, që më 1956 qëndisi flamurin kombëtar ( ku atëbotë ishte e ndaluar për shqiptarët e Kosovës), për të cilën gjë vuajti burgim të rëndë bashkë me bashkëshortin Osman Krasniqi( axha im) dhe dhjetëra shokë të idealit!
Mburremi dhe jemi krenar që e kemi -Heroinën e gjallë Shqiptare-Emine Krasniqi- Marigona e Kosovës! Gëzuar festën e flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë, Marigonë e Kosovës! Veprat dhe sakrificat e tua për çështjen kombëtare, na bën krenar jo vetëm familjen tonë, por gjithë kombin shqiptar! Jemi krenar me ty! Rrofsh sa malet e Shqipërisë Natyrale!

Lajme të ngjashme

Back to top button