fbpx

Gruevski po e konsideron veten si Luigji i 14 “Monarku i Madh” francez

Deklarimet e kohëpaskohshme të liderëve politikë, janë aq të zbrazëta e te bezdista, sa më rikujtojnë fjalët e një mikut tim që e bëri një krahasim me atë punën e xhelatit dhe viktimës. Që viktima edhe pasi që xhelati më nuk ekzistonte, vazhdoi edhe me tej të jeton me frikën dhe mosbesimin se nuk i kërcënohet ende rreziku prej xhelatit. E kështu vazhdoi te jetojë edhe më tej me ndjenjën e frikës. 
Është fakt, se kërkesat politike të shqiptarëve nuk janë përmbushur, klasifikimi i BDI-së është ulur dukshëm, dhe është duke i ndodhur po e njëjta çka i ndodhi partisë së Menduh Thaçit. Gruevski po arrin te defaktorizon shqiptarët edhe në koalicionin e tashëm. Që nga hyrja në këtë koalicion, diheshin hesapet, por si duket ngadhënjeu fraksioni i etatistëve. 

Shtrohej pyetja prej atëherë se si do jetë funksional një koalicion i tillë ekstrem djathtist dhe në anën tjetër partnerin koalititav që e karakterizon një e kaluar krejtësisht majtiste. A ishte taktizim i gabueshëm, nënshtrim, apo u zvenit patriotizmi e ngadhënjeu biznesi i politikanëve tanë e që çdo herë deri më tani ka ndodhur e njëjta që sapo hynë në pushtet, u bien kuotat ndjeshëm, apo për shkak të sherrit e më u shndërrua në një parti tematike. 

Ky pushtet i zgjeruar i partisë së kryeministrit Gruevski, ndaj pozicioneve të dobësuara të partisë shqiptare në Qeveri, ka shtuar shqetësimin tek opinioni shqiptar në Maqedoni, dhe si duket në vitet e ardhshme mund të rritet diskriminimi dhe të ngecën implementimi i Marrëveshjes së Ohrit. 

Ai ka vendosur një pushtet autokrat dhe ministrat shqiptarë i ka devalvuar në nivelin e sekretarëve të qeverisë së tij, dhe sillet sipas motos “shteti jam unë dhe ligjin bëj unë”. 

Mu kujtua, diçka krahasuese, se në njëfarë mënyre, na u ngjall Luigji i 14 “Monarku i Madh” francez, me ambiciet e tij jo vetëm për pushtet të pakufizuar, por edhe për shtimin marramendës të pasurisë. Shpenzimet e kryera për vete dhe për miqtë, simpatizantët e mbretërorët si dhe për çdo tjetër që rrinte pranë tij (lajkatarët, servilët, dallkaukët, sahanlëpirësit etj.) arritën nivelet më të larta dhe kazma po i vihej ekonomisë së vendit dhe nivelit të jetesës së popullit, i cili kishte arritur varfërinë e tejskajshme. Mbreti thoshte: “Sa të jem në pushtet do të bëj si të dua, do të shpenzoj pa kufi, nga të ardhurat prej popullit se fondet i disponoj vetëm unë”. 

E ministrave të vet u thotë: “Zotërinj, do të bëni siç them unë, sepse unë do të jem kryeministri im”. 

Për gjenialitetet e Luigjit të 14-të, kanë shkruar shumë biografë e historianë. Ndër të tjerët një thotë.: “ kur e pa veten atje lart, në majën më të lartë të pushtetit, njerëzit i shikonte si miza dhe nuk pyeste për askë, gënjente natë e ditë, premtonte e betohej për Zotin, duke i bekuar “mizat” në emër të tij-gjë që e bënte qesharak”. Dhe më në fund, tha marrëzinë më të madhe: “shteti jam unë!” 

Kur, e pyetën për ligjet e Francës, se çfarë janë ato e ku hyjnë në fuqi, dhe Luigji i 14-të, serbes-serbes tha: “Ligjet bëhen sipas qejfit të atij që qeverisë. Ato nuk vijnë nga qielli, bëhen këtu, sipas “dëshirës së popullit”, shkurt “Edhe ligji jam unë”, se ligjet janë derivate të mendjes së njeriut e asgjë tjetër, se ato ndërtohen sipas kërkesës së atyre që administrojnë shtetin dhe jo sipas ndonjë shkence ekzakte, prandaj heshtni e dëgjoni ato që thotë sovrani juaj!” . 

Nuk ishte vullneti i votuesve shqiptarë që të zgjedhurit e tyre të pranojnë kallëpin e Gruevskit për ligjin e gjuhës shqipe që përfundoi në një arkiv parlamentar. Shqiptarët nuk votuan që me paratë e tyre të stimulohet ekskluzivisht vetëm lindshmëria e nënave maqedonase. Shqiptarët votuan për ministra dinjitozë, e jo për të tillë që nuk guxojnë të flasin shqip nga frika se mos u zemërohen zëdhënëset maqedonase. 

Votuan për ministra që nuk e bëjnë hesap, te dalin e të deklarojnë s’pakti njëherë se mbajnë përgjegjësi morale dhe politike për mossukseset. Votuan për një zëvendëskryeministër që në njërën anë shet veten si zëvendësministër e nga ana tjetër kryen vetëm punë të një sekretari qeveritar. 

Për rolin ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës as të mos flasim. Nuk do të flasim as për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Prishtinën, ngase dështuan të gjitha prognozat. Fjalë e muhabete për popullatën shqiptare dhe mosçelje e gojës në qeveri. 

Kulminacioni i vetëmashtrimit, është mosrregullimi i çështjes së ish ushtarëve të UÇK-së. Për shkak të kësaj gjendje të rëndë, kur kjo Qeveri s’bën gjë tjetër veçse lustron paaftësinë e vetë, tregon injorancë dhe po katandis vendin në një debakël ekonomik, social e politik. 

Kur, në njërën anë vërehet realiteti, se funksioni i shtetit është kthyer në një mekanizëm dhune të disa njerëzve, katalogu i problemeve te qytetarëve është shumë i gjatë. Të përmendi vetëm disa, të cilat nuk kërkojnë as mjete financiare as përmbysje të shtetit por vetëm zgjidhje praktike. 

Më dhjetëra mijëra qytetarë të rrethit të Kumanovës, Shkupit e disa qyteteve tjera ende s’e kanë të rregulluar çështjen e shtetësisë, me dhjetëra mijëra qytetarë të rretheve Manastir, Kërçovë, Strugë e qytete tjera ende e kanë bishtin sllav në mbiemrin e tyre “-ski” apo “-oska”, me mijëra qytetarë vargohen në kufi me orë të tëra e sidomos në kohën e pushimeve vetëm për shkak të etnitetit të tyre, athua vallë, këto probleme akute ende nuk shihen! 

E në anën tjetër, kur dëgjoj e vërej se politikanët shqiptarë, ende merren me frazeologji romantizmi, me deklarime se jemi duke implementuar njëfarë Marrëveshje të Ohrit, duken aq joserioz, sa më rikujtohen kohërat e vrullit, e guximit që kishim, kur ishim “bashkë”, kur ngrinim zërin kundrejt padrejtësive, kur ende ekzistonte realizmi politik. 

E tani, në pushtet, e pozita është plotësisht e paralizuar me vetëdëshirë dhe për inat të tjerëve. Turpi është i përmasave të tilla që ka befasuar edhe skeptikët më të mëdhenj, përderisa dikur flitej për dinjitetin e kthyer të shqiptarëve.

Patologjia e sllavomaqedonasve

Me Gruevskin në krye te vendit, Maqedonia nga të katër anët ka të rrezikuar prapanicën. Qeveria Gruevski, në politikën e jashtme ka izoluar vendin dhe mundohet që me sugarin e tij Nikola Popovski, fajin ta hedhin herë tek Greqia herë tek Bulgaria apo tërthorazi xhelozinë më të madhe e kanë tek Shqipëria që kohet e fundit është duke e marrë vetën dhe po tregon një kahe të stabilitetit të brendshëm politik. 

Kur merret në konsideratë qëndrimi zyrtar grek, nuk është fjala këtu për kokëfortësi të palës greke, por thjesht ka shumë dozë realizmi kur slavomaqedonët bëjnë uzurpimin e të kaluarës antike të helenëve. 

Zotëritë e qeverisë, i ka kapluar euforia e megalomania, ofrojnë solucione herë referendum popullor here referenca totalisht te falsifikuara të historisë antike, ende nuk kthjellen e s’duan të binden se domosdo duhet heq nga mendja se emërtimi Republika e Maqedonisë, nuk ka shanse kurrfare. 

Mediatori Nimetz i ka ofruar alternativat, e diplomacia duhet të jetë konstruktive, përderisa dihet se edhe vetë, Parlamenti Evropian, përkrah mediatorin Matthew Nimetz, për ndërmjetësimin në mes të Greqisë dhe Maqedonisë për gjetjen e zgjidhjes në lidhje me emrin e FYROM-it. 

Pastaj, dihet, se me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara numër S/RES/817 i S/RES/845 të vitit 1993, u vendos që sa më shpejt të gjendet zgjidhje kompromisi për emrin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, e njëjta u vendos edhe në marrëveshjen e përkohshme të vitit 1995, që vazhdon të jetë ende valide, dhe me këtë hiqet vërejtja se nëse nuk gjendet zgjidhje në mes të dy shteteve, kjo do sjellë deri në prolongimin e integrimit të Republikës së Maqedonisë në Unionin Evropian. 

E nga ana tjetër, fatkeqësisht, shumica e mendimeve, bashkohen në një pikë, se politikës shqiptare i mungon shkathtësia institucionale dhe profesionalizmi për të bërë avokatinë ndaj çështjeve me interes kombëtar. Gjatë tre viteve të fundit, që prej ardhjes në pushtet të VMRO-së, vihet re një tendencë e rrezikshme me kah deformimin e demokracisë së brishtë të vendit. 

Kjo tendencë po demonstrohet me krijimin e totalitarizmit dhe etnokracisë të ortodoksizmit sllav, ilustruar me sjelljen e një sërë ligjesh dhe iniciativash antishqiptare. Është momenti i fundit i heshtjes së politikës dhe shoqërisë civile shqiptare të cilët duhet të bashkërendojnë forcat dhe strategjitë për të eliminuar dhe parandaluar zhvillimet negative. 

Kjo është një mungesë e dukshme e shkathtësisë institucionale dhe e profesionalizmit nga ana e partive politike shqiptare. Spektri politik shqiptar qoftë në pozitë apo opozitë ndjek me indiferencë zhvillimet, ndërsa miraton edhe vendime qeveritare si ligji i gjuhëve, natalitetit, apo edhe një varg projektesh për vendosje përmendoresh, kisha e ikona historike maqedonase, të cilësuara si diskriminuese për pjesën shqiptare. 

Gjendemi para, situatave vendimtare, para kohës kur kërkohet vetëdijesim dhe ndërgjegje për veprimet që po bëhen. Në kohen, kur ne vend qe shteti te mundohet te hap vende te reja pune, në vend që të kenë vizion për prosperim ekonomik, në vend që të harmonizon marrëdhëniet ndëretnike, në vend që të rritet mirëqenia në sektorin social, rritet varfëria në shifra gjigante. 

Përveç premtimeve dhe projekteve gjigante në letër, që qeveria Gruevski u jep pompozitet, mbesin vetëm fjalë, se para për ato nuk ka, realizimi i tyre do mbetet në letër, e kriza socio-ekonomike po thellohet, e kryeministri vazhdon ende me blasfeminë e tij, se paska plan strategjik për zhvillim e prosperim të përgjithshëm të vendit, edhe pa na u dashur integrimi në BE apo në strukturat e NATO-s. 

Diçka e çuditshme krejt këto vite është sidomos sjellja e ngurruar, krejtësisht e tërhequr, e pazë apo edhe e paartikuluar e subjektit politik shqiptar në Maqedoni, në kontekst me tensionin grek. Asnjëra prej partive politike si në kohët e pozitave apo opozitave, nuk kanë treguar imponim apo edhe qëndrim të qartë oponimi karshi bllokut maqedonas se si do te propozonin apo të hidhnin ndonjë iniciativë autoktone të tyre, përsa i përket emërtimit. 

Disa here janë dëgjuar vetëm zëra, se emërimi i akceptueshem duhet të marrë në konsiderate edhe popullatën shqiptare që jeton në Maqedoni, që të mos irriton shqiptarët etj. Por të gjitha këto kanë qenë aq të mjegullta dhe aq „adiplomatike“ sa hej medet mundoju e të zbërthesh enigmën. 

Participimi qeveritar, është vetëm një farsë, pozita merret vetëm me interpretime te deklaratave te Gruevskit, dhe sillen si kukullat e tij. Alternativat dhe kondicioni politik është harxhuar, e në një forme s’dinë edhe vete se çka me tej!

Neokonzervatizëm dhe pseudoshkencë maqedonase

Një gjë është e saktë, se premieri ka ngritur imazhin e tij në rrethet e diasporës maqedonase, ka fituar imazhin se „nuk bën kompromise“ për çështjen maqedonase, i jepet një përkrahje e jashtëzakonshme prej rretheve ekstremiste, ka rikthyer shovinizmin nostalgjik e folklorik të komitëve që jetojnë nëpër botë.

Më provokimet që vijnë nga Shkupi, për politiken e tij kokëfortë dhe totalitarizmin e popullizmin e premierit, konstatoj se në rrethet diplomatike, moti ekziston një izolim çdo here e më i theksuar jo vetëm i Maqedonisë por sidomos i premierit Gruevski, ndërsa nga ana tjetër vetë oponentët politik shqiptarë ia zgjasim jetën këtij kapedani. 

Si shkojnë punët, nuk ka gjasa që sllavomaqedonët, të fillojnë të kthjellen dhe të binden se nuk janë pasardhës te Aleksandërit të Madh, dhe as Aristoteli nuk ka folur gjuhen e tyre. 

Përpjekjet e maqedonasve, që të jenë pasardhës të një populli të stërlashtë, me të cilin mburret historia antike dhe historia më e re, janë pretendime të kota, sepse nuk munden të jenë edhe sllavo-maqedonas edhe maqedonas antikë. Nuk munden të jenë në të njëjtën kohë edhe sllavë edhe ilirë, sepse maqedonasit e Lekës së Madh kane jetuar në një hapësirë dhe në një kohë krejtësisht tjetër. 

Fisi i Maqedonëve të Lekës së Madh ka qenë fis pellazgo-ilir. Këtë e dëshmojnë vetë historianët dhe filozofët helen (grekë) të asaj kohe, duke i quajtur maqedonasit, ashtu si edhe ilirët, fise “barbare“, pra fise të huaja, jo greke, që nuk kishin gjuhen dhe etninë e tyre. 

Arsyet greke lidhen sidomos me faktet historike të cilat demonstrojnë që territori ku shtrihet FYROM-i sot ishin pjesë e Greqisë së Lashtë dhe se maqedonasit e sotëm janë thjesht pjesë e sllavëve të jugut që erdhën nga Azia e Vogël shekuj më vonë. Anatemimi helen kulmoi me bllokadën e Selanikut për eksportet maqedonase dhe i shkaktoi ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë me miliona dollarë humbje dhe vonoi integrimin real të tregjeve dhe infrastrukturës së këtij vendi në Evropë me disa vjet. 

Përkujtoj se, Aleksandri, bëri bujë dhe la gjurmë të thella në histori. Për të dihet se është i biri i Filipit II e i nënës Olimpi dhe se mësues e ka pasur Aristotelin (aristokrat Telin, filozofin ilir). Leka i Madh ishte kushëri i Pirros së Epirit. Që në moshën 6 vjeçare mbet jetim dhe e mori në mbrojtje dhe e rriti mbreti i Taulantëve, Glauku, i cili më pas i ndihmoi që të bëhet mbret i Maqedonisë.

 
Çka është me rëndësi Leka i Madh, ishte mbret i Maqedonisë prej v. 336 deri ne v. 323 p.e.r., pra deri në vdekjen e tij. Përkatësinë etnike iliro-maqedonase askush nuk mund t‘ia mohojë, prandaj edhe quhet Leka i Maqedonisë (Aleksandri i Maqedonisë). E stërgjyshërit e Gruevskit vijnë tek 1100 vjet me vonë ne territoret e tashme gjeografike. 

Shqiptarët të cilët kanë banuar në trevat e tyre etnike prej shekujsh, jo vetëm nuk janë “zgjeruar” numerikisht në favor të sllavëve, por madje janë rrudhur, shpesh edhe si rezultat i transfertave të popullatës, emigracionit në masë për shkaqe politike, ekonomike etj. 

Shteti që sot zyrtarisht quhet Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM), për herë të parë si gjysmështeti, si Republikë i ish-Federatës Jugosllave, u konstitua në vitin 1945. Republika e Maqedonisë u nda nga ish-Federata Jugosllave pas mbajtjes së Referendumit të 8 shtatorit 1991 duke shpallur po atë vit edhe pavarësinë shtetërore. 

Ende pa përmbushur kushtet e parashtruara nga Komisioni i Badinterit u bë njohja e Maqedonisë si shtet i pavarur, dhe më 1993 ajo u pranua anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Me gjithë njohjen e saj si shtet i pavarur nga OKB-ja, Republikë e Maqedonisë (apo zyrtarisht: IRJM = FYROM) ende ka shumë probleme të pazgjidhura me fqinjët e saj. 

Të ndodhur në të tilla kushte maqedonasit nuk mund të sendërtojnë identitetin e tyre kombëtar as rreth gjuhës (si sllovenët), as rreth memories kolektive për ekzistencën e një shteti dikur të pavarur maqedonas, pra kujtimit të ditëve të arta të shkuara (si kroatët), as mbi bazën e fesë, si element identifikues i kombit. Kjo e fundit ishte sidomos problematike dhe jo vetëm për shkak të kontestimit serb që përmenda më sipër, por edhe për shkak të një përqindjeje të lartë të popullsisë shtetformuese të shqiptarëve. 

Paradoksalisht, vetëm shqiptarët mund ta ngrinin një argument të tillë, ndërsa pjesa sllave dihej që ka ardhur nga Azia qendrore vetëm pas shekullit të shtatë të erës së re. Në këto kushte e vetmja mënyrë rreth së cilës maqedonasit mund të ngrinin argumente në favor të së drejtës për një ekzistencë të pavarur, ishte territori, dhe këtë nocion të emërtimit territor e përvetësuan si emërtim etnik.

 Vaj medet për këta, por nga ana tjetër, shqiptarët po ua mbajmë ison dhe ngurrojmë t’i themi gjerat ashtu si janë, e ashtu si duhet të jenë. Shtrohet dilema; a bëhet kjo në emër të taktizimeve? Apo diplomacisë se madhe, që mbetet e pakuptueshme!? apo, ka ardhur koha, që të lihen sherret, e të bashkohet skllavi i shtëpisë me skllavin e fushës, kundër zotnisë qe e kanë lëne mëndët.

Dimë vetëm se, shqiptarëve na mbeti dora e shtrire për miqësinë dhe përkohabitacionin e mirë që duam ta kemi, për bashkëjetesën që e kërkojmë si me zor, përderisa tjetri nuk e do një gjë të tillë.

E tani, “hajde mace e luaje kokën e buallit”.

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close