fbpx

Shkëndija në turneun ‘Kupa Pavarësia 2014’

Ekspedita e KF Shkëndija sot ka udhëtuar drejt Vlorës, ku të premten do të zhvillohet edicioni i sivjemë i turneut të futbollit ‘Kupa Pavarësia 2014’. Skuadra e Flamurtarit në bashkëpunim me Federatën shqiptare të Futbollit çdo vit grumbullon në një vend shqiptarët, pasi në këtë turne tradicionalisht luajnë ekipe nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi.

Këtë vit pjesë e turneut do të jenë Flamurtari i Vlorës, Shkëndija, Lamkos Kosova dhe Feronikeli, gjithashtu i Kosovës. Sipas traditës ishte planifikuar që pjesë e turneut të ishte edhe ekipi shqiptar nga Mali i Zi, KF Otranto, mirëpo pasi ata kishin vonuar përgjigjen, FSHF vendosi që të plotësonte me skuadër tjetër vendin e tyre.

Ndërkohë pjesëmarja e Shkëndijës tani më vite me rradhë është një traditë e pandashme e këtij turneu dhe ky vit nuk bën përjashtim. Gjithsesi, për shkak të angazhimeve në kampionat dhe ndeshjes të së dielës me Pelisterin, kryesia e klubit drejt Shqipërisë ka përcjellë ekipin B.

Skuadra është e përforcuar me mesfushorin Armend Alimin, i cili xhiron e fundit kundër Sileksit mori kartonin e pestë të verdhë dhe nuk do të ketë të drejtë loje kundër Pelisterit. Për këtë arsye ai udhëton me ekipin për në Shqipëri dhe pritet të jetë bartës i skuadrës në tentimin për të lënë një përshtypje pozitive në këtë turne.

Kujtojmë se Shkëndija do të mbetet në historinë e këtij turneu si fituese e edicionit të vitit 2012, kur Shqipëria festonte 100 vjetorin e Pavarësisë dhe turneu ishte më i zgjeruar se zakonisht. Ekspedita e Shkëndijës sonte do të qëndrojë në Vlorë, shorti për dyshet rivale do të hidhet në darkë, ndërsa të premten zhvillohen garat e edicionit të sivjemë të ‘Kupës Pavarësia’.

Lista e ekspeditës së Shkëndijës për në Vlorë:
Futbollistë: Enes Azizi, Arbnor Ademi, Shqiprim Taipi, Ennur Totre, Shpend Asani, Armend Alimi, Ersin Fetahi, Bashkim Lama, Erblin Shaqiri, Zija Merxhani, Ardit Zeqiri, Enis Dervishi, Artan Jonuzi, Kasam Jonuzi, Muhamet Ziberi, Valon Abazi.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close