Si portretohet femra në mediumet e Maqedonisë?

Efekti dhe ndikimi i mediave në një shoqëri të civilizuar dhe shëndoshë nuk është i njëjtë me efektin që ka media në një shoqëri kaotike si që është kjo në Maqedoni. Këtu, në kohën kur ka krizë të vlerave morale, në masë të madhe femrat paraqiten si objekte seksuale dhe të dorës së dytë. Mediumet në vend deri diku e pasqyrojnë pozitën aktuale të femrës në Maqedoni dhe perceptimet e shoqërisë për të njëjtën, megjithatë numërohen raste jo pak të rralla ku raportohet dhe shkruhet nga një kënd stereotipizues dhe margjinalizues për ato, transmeton Portalb.
Në këtë formësim opinioni gjithsesi ndikon edhe kreu i shtetit Nikolla Gruevski dhe partia e tij, të cilët në rend të parë janë ata që vendosin femrën në rolin e amvises duke e dëshmuar këtë në disa deklarata publike, vlerat e tilla përcillën nëpër mediat tona duke e fuqizuar kështu ende më shumë perceptimin konzervativ të shoqërisë tonë.

Këto janë disa nga konkluzionet e përfshira në analizën “Portretimi i femrës në mediat e Maqedonisë: Barazia gjinore- klishe, traditë ose e drejtë demokratike?” të promovuar sot në Shkup, të financuar nga Fondaciuoni “Fridrih Ebert” në bashkëpunim me “Javnost” qendrën për politika të reja dhe liri të mediave.

Sipas hulumtimeve të Agjencisë për shërbime audio dhe audio-vizuele, në emisionet e televizioneve të vendit, në një përqindje të madhe prej 71,7% paraqiten meshkujt si bashkëfolës dhe krijues i diskursit politik, social dhe ekonomik përkundër paraqitjeve të grave që janë në përqindje prej 28,2%.

“Meqenëse mediat financohen nga reklamat ndërsa aktualisht Qeveria është ajo që krijon më shumë reklama, mediat janë të detyruara të transmetojnë reklamat qeveritare në të cilat shpesh shkelen te drejtat e femrave. Rast tipik është reklama për krijimin e familjeve me shumë fëmijë apo reklamat kundër abortit. Reklama me të cilat nuk i lejohet zgjedhja e lirë femrave. Mediumet në këto raste kemi situata skizofrene kur mediumi nga njëra anë jep reklama të tilla ndërkaq nga ana tjetër duhet të jetë garantues që mos shkelen të drejtat e njeriut, respektivisht të grave” tha njëra nga autoret e tekstit, Nikica Korubin, transmeton Portalb.

Një shembull i portetimit të grave si objekte seksuale në media ishte anketa e gazetës “Vest” për “Përzgjedhjen e deputetes më seksi në Parlamentin e Maqedonisë”. Analiza “Portretimi i femrës në mediat e Maqedonisë: Barazia gjinore- klishe, traditë ose e drejtë demokratike?” më tej merr për shembull edhe emisionet e ndryshme në të cilët edhe pse flitet për rite të bukurisë së fytyrës, shfaqen femra gjysmë-lakuriq, ose më thjeshtë, figura femrash që “dekorojnë” emisionin.

“Si të luftojmë kundër mesazhit të kryeministrit me atë deklaratë që femrat duhet të rinë në shtëpi të bëjnë fëmijë? Si të luftojmë kur kreu i shtetit përmes mediave flet me paragjykime dhe margjinalizime dhe ia përcakton vendin femrës në shoqëri” tha mes tjerash gazetarja Jasmina Anevska,transmeton Portalb.

“Edhe pse femra është prezente në industrinë televizive, ajo është shumë pak e dukshme, posaçërisht në vendet udhëheqëse” thuhet në analizën e lartpërmendur. Në të njejtën, thuhet se situatë e ngjashme mbizotëron edhe te mediat maqedonase edhe te ata shqiptare. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button