Dënohen 2 shqiptarë në Uells për kanabis

Dy shqiptarë në Uells të Britanisë së Madhe, të moshës 24 dhe 26-vjeçare, janë dënuar nga drejtësia, pasi një ish-disko në një ndërtesë trikatëshe e kishin shndërruar në fabrikë, ku kultivonin artificialisht kanabisin.

Policia kapi një sasi mjaft të madhe rrënjësh kanabisi, të cilat i rrisnin me ndriçim artificial në katet e kësaj ish-diskotekë, në qytetin Porth të Uellsit. Shqiptarët kishin mbjellur 1800 rrënjë kanabisi dhe vlera e shitjes së drogës në treg – sipas shtypit vendas – shkonte deri në 1 milion stërlina.

Shqiptarët e kishin shndërruar klubin e natës, të quajtur “Apollo”, në fabrikë, pasi e përdornin si të tillë tre muaj nga mbyllja e diskotekës. Kjo fabrikë harxhonte aq energji elektrike, sa mund të furnizoheshin tre rrugica me shtëpi.

Shqiptarët thonë se ishin të detyruar të punonin në atë fabrikë, pa dhënë emrat e personave që i detyronin. Ata janë dënuar me 16 muaj burg dhe priten të deportohen në Shqipëri pas vuajtjes së dënimit.

Gjykatësi i çështjes, Richard Tomlow, tha se “e pranoj presionin që mund të jetë ushtruar ndaj jush”. Ndërkohë, prokurori i çështjes theksoi se “kemi të bëjmë me një operacion mjaft të sofistikuar”.

Ky nuk është rasti i parë, kur shqiptarët në Britani kapen pasi marrin shtëpi me qira, apo edhe i blejnë, dhe në to kultivojnë kanabis përmes investimesh impresionuese.

Transportimi apo kultivimi i llojeve të ndryshme të drogës është shndërruar vitet e fundit në një aktivitet mjaft fitimprurës për grupet kriminale shqiptare dhe numri i atyre që arrestohen nga autoritetet sa vjen e rritet. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button