Dita e Pavarësisë, Jahjaga, mesazh urimi Nishanit

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, me anë të një mesazhi uroi Presidentin Bujar Nishani, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

“Dita e Pavarësisë shënon një nga datat më të rëndësishme, një kurorëzim i përpjekjeve shekullore të popullit për të qenë i lirë dhe i barabartë, zot i fatit dhe i ndërtimit të ardhmërisë së vet, në miqësi dhe në bashkëpunim me popujt e tjerë, si faktor domethënës paqeje dhe stabiliteti në këtë pjesë të Evropës”, shkruan Jahjaga në mesazh.

Presidentja e Kosovës thekson se Shqipëria sot është një vend demokratik, anëtar i NATO-s, e suksesshme në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, kontribuuese e rëndësishme e marrëdhënieve të mira fqinjësore, promovuese e vlerave të paqes, të bashkëpunimit e të ndihmës së ndërsjelltë ndërmjet vendeve dhe popujve.

“Marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës janë një shembull i mirë i bashkëpunimit të gjithanshëm, frytdhënës, konstruktiv e të sinqertë në të gjitha fushat, kontribuues në përparimin, zhvillimin e rritjen e mirëqenies së të gjithë qytetarëve të vendeve tona. Duke Ju uruar dhe një herë për Ditën e Pavarësisë, Ju shpreh konsideratat e mia më të larta”, përfundon mesazhi i Presidentes Jahjaga drejtuar Kreut të Shtetit shqiptar./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button