Qosja: Festat e Nëntorit i gjejnë shqiptarët si kurrë më mirë në histori

Akademiku Rexhep Qosja ka folur lidhur me Festat e Nëntorit dhe me 102-vjetorin e Pavarësisë, duke thënë se këto festa i gjejnë shqiptarët si kurrë më mirë qëkurse historia merret me ta.

Duke folur edhe për situatën politike në Kosovë, Qosja tha se koalicioni PDK-LDK është në fakt një koalicion dëshpërues, fyes dhe përulës për Kosovën.

“Pse them kështu? Them kështu sepse ky koalicion mund t’ia sjellë Kosovës një dhuratë danaike – mund t’ia sjellë Kosovës kryeministër kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën”, është shprehur Qosja. Ai thotë se është duke u çuditur dhe shumëkush po çuditet se si asnjë anëtar i PDK-së nuk e ngriti zërin kundër Isa Mustafës, kundër kandidatit të LDK-së për kryeministër të Kosovës. “Është ky një turp partiak i PDK-së, padyshim. Pse anëtarët e PDK-së nuk e ngrehin zërin kundër këtij koalicioni të çoroditur e të dëmshëm?”, tha Qosja për Epoka e Re.

Kurse, sa i perketë festës së 28 nëntorit, dhe se a duhet të ndihen krenarë të gjithë shqiptarët për këtë këtë festë, Qosja ka thënë se ky 28 nëntor, që është njëzetetetë nëntori i njëqind e dyvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, po i gjen shqiptarët më mirë se asnjëherë në historinë e tyre prej se historia merret me ta, me organizimin e tyre shtetëror, me jetën shoqërore dhe kulturore të tyre.

“Shqiptarët sot kanë dy shtete, dy shtete që i bëjnë faktor me rëndësi të dukshme, madje të madhe në rajonin e Ballkanit. Shqiptarët në Maqedoni kanë arritur të bëhen subjekt politik, shoqëror e kulturor historik dhe me shpresën se kjo gjendje e tyre, këtë subjekt të tyre politik, logjika historike do ta bëjë gjithnjë e më të dukshëm, gjithnjë e më të plotë, gjithnjë e më vendimtar. Subjekt historik shoqëror dhe kulturor pashmangshëm do të bëhen edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe të Malit të Zi, natyrisht me kusht në qoftë se nuk vazhdojnë të largohen prej vatrave të tyre”, vlerësoi akademik Qosja.

Lajme të ngjashme

Back to top button