Ejupi i kënaqur në Tajlandë

Një nga futbollistët më të mirë shqiptarë, Muzafer Ejupi i cili tani më disa muaj karrierën e tij e ka vazhduar në Tajlandë, është në pushime në Shkup, ndërsa skuadar me të cilën luajti në Super Ligën e Tajlandës, Songkhla Junajted, nuk arriti të mbetet në elitën e futbollit tajlandez.

Ejupi me tajlandezët u bashkua në muajin korrik, me të cilët ka nënshkruar kontratë një vjeçare.

Ejupi për katër muaj e gjysmë sa ishte pjesë e skuadrës bëri një paraqitje të mirë duke shënuar 5 gola dhe 7 asistime. “Për fat të keq nuk arritëm ta shpëtojmë klubin nga rënia prej Ligës. U munduam shumë, u mundova edhe unë, mirëpo vonë iu bashkëngjita klubit dhe ishte e pamundur të bëjmë diçka më tepër. Sa i përket paraqitjes sime jam i kënaqur, shënova 5 gola dhe 7 asistime, por ja që këto gola nuk mjaftuan që klubi të shpëtojë nga rënia”, ka thënë futbollisti shqiptar Ejupi.

Edhe përkundër faktit se Songkhla Junajted do të luajë në Ligën e Dytë, drejtuesit e klubit janë të kënaqur me paraqitjet e tij dhe kanë shprehur gatishmëri që të vazhdojnë bashkëpunim.

Ejupi nuk ka fshehë se për shërbimet e tija janë të interesuara dy skuadra të Ligës së parë. “Në klub duan që unë të mbetem edhe më gjatë, mirëpo në ndërkohë në adresën time kanë arritur dy oferta të mirë nga dy klube të Ligës së parë. Aktualisht jemi në bisedime dhe në rast se më ofrojnë kushte më të mira nga ato që i kam tani, sigurisht se do të pranoj njërën prej dy ofertave”, ka thënë 28 vjeçari.

Të përkujtojmë se Muzafer Ejupi, para se të veshë fanellën e Songkhlas, ishte pjesë e Horizont Turnovës, ndërsa më parë ka luajtur edhe për Vardarin, Metalurgun, Kartalsporin dhe Shkëndijën. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button