SHBA-ja çon trupa shtesë në Afganistan

Shifrat përfundimtare janë ende subjekt i një marrëveshjeje, por me siguri dihet që në Afganistan do të mbeten të paktën disa qindra ushtarë më tepër, nga sa ishte planifikuar fillimisht.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatiten të rrisin numrin e trupave që do të qëndrojnë në Afganistan përgjatë vitit 2015, në mënyrë që të mbushin boshllëkun e lënë në misionin e NATO-s nga vendet e tjera kontribuuese.

Shifrat përfundimtare janë ende subjekt i një marrëveshjeje, por me siguri dihet që atje do të mbeten të paktën disa qindra ushtarë më tepër, nga sa ishte planifikuar fillimisht.

“Nëse nuk do ta kishin bërë këtë, misioni do të kishte humbur bazat e tij”, ka thënë një burim në kushte anonimiteti.

Bazuar mbi angazhimet e Shteteve të Bashkuara, të përshkruara si “zgjidhje momentale” deri sa kombet e tjera të përmbushin angazhimet e tyre në pjesën e dytë të vitit, apo nëse trupat nuk do ta kenë të nevojshme të qëndrojnë, Uashingtoni do të mbajë rreth 1000 ushtarë të tjerë.

Kjo shifër është konfirmuar nga tre burime të “Reuters”, të cilët kanë thënë se shifrat përfundimtare janë ende në diskutim dhe varen nga përparimet që do të bëjnë vendet e tjera me përmbushjen e premtimeve të tyre.

Trupat shtesë të SHBA-ve do t’u bashkohen atyre prej 12 mijë forcash të NATO-s, që do të qëndrojnë në Afganistan për të stërvitur, këshilluar dhe asistuar forcat afgane përmes një misioni të ri, të quajtur “Mbështetje e vendosur”.

Forcat e koalicionit në Afganistan nuk komentuan mbi shifrat, por thanë se mirëpresin të gjitha angazhimet e trupave të huaja në misionin e ri të udhëhequr nga NATO.

“Jemi të ndërgjegjshëm se do të na duhen burime të tjera të nevojshme për të nisur misionin ‘Mbështetja e vendosur’ më 1 janar 2015. Procesi për të gjeneruar forca të tjera të nevojshme për misionin është në vazhdim e sipër”, bënë të ditur Forcat Ndihmëse për Sigurinë Ndërkombëtare (ISAF).

Lajme të ngjashme

Back to top button