Rruga për drejtësi është shumë e shtrenjtë për qytetarët

Shpenzimet gjyqësore i zbrazin xhepat e qytetarëve, të cilët ndonjëherë nuk vendosen të ankohen në instancat më të larta për shkak të çmimeve shumë të mëdha të procedurave. Një procedurë gjyqësore mund t’i kushtojë qytetarët dhe bizneset prej 100 e deri më disa mijëra euro, në varësi prej asaj nëse parashtroni padi, ankesë, ankim apo përgjigje të ankesës, gjë për të cilën beteja për drejtësi jo vetëm që është e gjatë dhe e vështirë, por edhe e paarritshme për një pjesë të madhe të qytetarëve. Çdo përsëritje të procedurës sjell shpenzime të reja jo vetëm për gjykatat, por edhe për avokatët të cilat do të ju mbrojnë në procedurë. Dhe paraqitja e tyre në gjykatë më së shpeshti kushton të paktën 3.000 denarë.
“Inbox 7″ ka hetuar sa kushton rruga e drejtësisë dhe nëse ajo mund të jetë e arritshme për qytetarët e Maqedonisë, në bazë të shpenzimeve që i paguajnë të dëmtuarit në kontestet gjyqësore.

Drejtësia është e shtrenjtë

Çmimin që e paguajnë palët për taksat gjyqësore është i madh, thotë Trajçe Arsov, avokati që i përfaqëson dy gazetarët e gazetës së përjavshme “Fokus”, të dënuar për shpifje dhe fyerje në rastin e drejtorit të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK), Sasho Mijallkov. Sipas aktgjykimit, gazetarët kanë paguar 6.000 euro në emër të dëmshpërblimit dhe 3.312 euro për shpenzimet gjyqësore të Mijallkovit.

Konkretisht në këtë rast, vetëm për kërkesat për rishikim të çështjes para Gjykatës Supreme klientët e mi kanë paguar taksat gjyqësore në vlerë prej 54.000 denarësh. Paraprakisht, ata kanë paguar 96.000 denarë për procedurën e shkallës së dytë para Gjykatës së Apelit Shkup“, thotë Arsov.

Shpresa e vetme është që të luteni për ta bindur gjyqtarin që keni të drejtë, sepse në qoftë se humbni kontestin gjyqësor, atëherë përveç taksave tuaja i paguani edhe taksat dhe shpenzimet e palës që e ka fituar kontestin. Arsovishpjegon se qytetarët nuk duhet të harrojnë se në qoftë se duan të përdorin disa prej mjeteve të rregullta apo të jashtëzakonshme juridike si një tjetër mundësi për qasje deri në drejtësi, atëherë taksat janë dyfishtë më të mëdha. Kjo do të thotë se në qoftë se doni të ankoheni për aktvendimin e gjykatës themelore në Gjykatën më të lartë të Apelit, atëherë nëse keni paguar një taksë prej 1.200 denarësh, tani do të duhet të paguani 2.400 denarë.

Me imponimin e taksave aq të larta, shteti në mënyrë të tërthortë i parandalon, i pengon qytetarët që të kërkojnë drejtësinë e tyre. Dhe këtu flasim vetëm për taksat gjyqësore. Nëse këtu i shtoni shpenzimet për avokatët, shpenzimet për ekspertizë dhe shpenzimet e tjera që dalin në një procedurë, atëherë do të shihni se drejtësia është shumë e shtrenjtë“, thotë Arsov.

Shteti mund gjithçka, qytetarët jo

Por, taksa e paguar nuk mund të ju sigurojë një qasje të sigurt në drejtësi. Ka rregulla sipas të cilave gjykata ka të drejtë të mos e përmbushë kërkesën e qytetarëve.

Ka shembuj të ndryshëm ku kërkesat mund të refuzohen për shkak se ato nuk janë komplete. Për shembull, kërkohet një kopje të verifikuar të vendimit përmes një avokati që nuk ka qenë përfaqësues i autorizuar, kurse verifikimin e kopjes e kërkon bashkëshorti i të akuzuarit, ose kërkohet një certifikatë për të vërtetuar se personi nuk është i gjykuar, nga ana e bashkëshortit të kërkuesit. Gjykata e respekton Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe për këto arsye, këto lloje të dokumenteve merren personalisht dhe individualisht, pa marrë parasysh nëse bashkëshorti apo anëtarët e familjes mbajnë me veten dokumentet e tyre personale, ose në emrin e personit për të cilin ka të bëjë kërkesa. Taksa gjyqësore paguhet menjëherë kur parashtrohen këto kërkesa që të mund kërkesa të merret në trajtim dhe të shqyrtohet“, shpjegojnë nga Gjykata Themelore Shkup 1.

Por këto rregulla nuk vlejnë për shtetin. Nga detyrimi për të paguar taksat gjyqësore janë të liruar Prokuroria publike dhe Prokuroria e shtetit.

Prokuroria publike në pajtim me dispozitat ligjore nuk është e obliguar që t’i paguajë taksat gjyqësore. Por, në rast se fiton ndonjë kontest, ajo ka të drejtë të kërkojë pagimin e shpenzimeve të procedurës”, thonë nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë (PPRM).

I ulin çmimet e taksave, por aplikojnë taksa të reja

Trendi i uljes së çmimit të taksave gjyqësore ka filluar në vitin 2011, por paralelisht me uljen, shteti ka aplikuar katër taksa të reja. Kështu, qytetarët që të mund të nxjerrin një kopje të procesverbalit të një seance gjyqësore, e cila sipas rregullave incizohet me ton, duhet të ndajnë nga 40 denarë për çdo faqe të shtypur. Megjithatë, nëse duan të kenë më shumë kopje, kjo do t’i kushtojë plus 20 denarë për çdo faqe të shtypur. Nga 10 denarë paguhet edhe për çdo faqe të shtypur të aktgjykimit, aktvendimit apo vendimit të gjykatës që paraprakisht është publikuar në faqen zyrtare të gjykatës. Problemi është se gjykatat nuk janë të pajisura në mënyrë të mjaftueshme për t’i incizuar të gjitha seancat gjyqësore.

Prej 30 lëndëve që janë në procedurë civile, ne incizojmë prej pesë deri dhjetë seanca dëgjimore. Prandaj, nëse dikush kërkon incizim me zë të seancës gjyqësore, e ajo seancë dëgjimore është e incizuar, atëherë marrim para për të, por nëse nuk ka incizim atëherë kopjet i japim pa para”, tha zëdhënësi Mihov.

Pagesa e taksës gjyqësore nëpërmjet celularit

Të gjithë qytetarët të cilët në të ardhmen do të duan të fitojnë drejtësinë në gjykatë, do të kenë mundësi për t’i paguar taksat gjyqësore nëpërmjet telefonit celular dhe në këtë mënyrë të kursejnë 15 për qind të shpenzimeve në një procedurë gjyqësore. Kjo do të thotë se në qoftë se doni të padisni dikë, e për shembull kontesti është me vlerë prej 20.000 denarësh, në vend të 1.200 denarëve sa është çmimi i taksës, ju do të paguani 900 denarë për taksë gjyqësore.

Zhvillimi i shpejtë tekniko-teknologjik, modernizimi i zgjidhjeve kompjuterike dhe softuerike, si dhe gatishmëria teknike e përdoruesve, kanë çuar në nevojën për aplikimin e pagesës së të gjitha taksave edhe nëpërmjet operatorëve celularë dhe internetit. Me qëllim që të motivohen personat fizikë për ta përdorur sistemin elektronik të dërgimit, i cili njëkohësisht është edhe më ekonomik, propozohen këto ndryshime dhe plotësime të Ligjit për taksat gjyqësore, me të cilin personave fizikë të cilët dërgimin e parashtresave do ta kryejnë në mënyrë elektronike në gjykatë, do t’u zvogëlohet lartësia e taksës për 15 për qind“, shkruan në ndryshimet e Ligjit për taksat gjyqësore.

Pa dëshmi për taksën e paguar s’ka drejtësi

Pagesa e taksave gjyqësore në mënyrë elektronike është detyrim që është aplikuar në vitin 2009, por praktika e gjykatave tregon se për palët, megjithatë  mënyra më e sigurt e pagesës është pagesa në bankë.

Deri më tani, në gjykatën tonë nuk kemi pasur një rast në të cilin pala ka paguar taksat nëpërmjet internetit. Është e vështirë të parashikohet nëse dhe si do të ringjallet pagesa elektronike, por ajo që është e rëndësishme është se si palët do të dëshmojnë që me të vërtetë e kanë paguar taksën gjyqësore. Nëse nuk ka provë, gjyqtari është i detyruar që ta refuzojë çdo kërkesë të qytetarëve“, thotë Stojan Mihov, zëdhënësi i Gjykatës Themelore Shtip.

Sipas ndryshimeve të Ligjit për taksat gjyqësore, provat për pagesën e taksave gjyqësore do të dërgohen në mënyrë elektronike.

Taksapaguesi është i obliguar që në mënyrë elektronike të dorëzojë deri në gjykatë vërtetimin e skanuar të taksës së paguar gjyqësore, përkatësisht një provë tjetër bankare për taksën e paguar për vërtetimin konkret, ndërsa kur parashtrohet vërtetimi për taksën e paguar për aktvendimin gjyqësor, parashtruesi është i obliguar që të caktojë në mënyrë specifike se për cilin vendim paguhet taksa“, shkruan në ndryshimet e ligji.

Në ndryshimet nuk është përcaktuar nëse provat e taksës së paguar do të dërgohen në e-mail adresën e gjykatës ose nëpërmjet SMS porosisë në numrin e telefonit që është specifikuar saktësisht.

Qytetarët e varfër kanë të drejtë për ndihmë ligjore falas. Për ta fituar atë, ata duhet të dorëzojnë një propozim për lirim nga pagesa e taksave gjyqësore, një certifikatë për gjendjen pronësore, si dhe një deklaratë për gjendjen materiale-sociale për gjashtë muajt e fundit para se të kërkohej lirimi nga pagesa e taksave gjyqësore. Gjykata ka afat prej pesë ditësh për të vendosur nëse do të pranojë propozimin apo do të refuzojë atë si i pabazuar./Inbox7

Lajme të ngjashme

Back to top button