Raportet ndëretnike në funksion të poenëve politikë

Askush nga zyrtarët nuk ka komentuar mesazhet e ambasadorit amerikan, Poll Uollers, për kujdes në trajtimin e raporteve ndëretnike në Maqedoni dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen qytetarët e saj.

Në fakt, ambasadori amerikan gjatë një ligjërate para studentëve të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, tha se të gjithë faktorët relevantë në shtet, e para së gjithash qeveria, duhet të punojnë për të ndërtuar raporte të mira ndëretnike dhe shmangien e dhunës në zgjidhjen e problemeve, transmeton REL.

Uollers tha se problemet me të cilat përballet shoqëria nuk duhet fshehur, por të zgjidhen për të krijuar një shoqëri të barabartë mes të gjitha komuniteteve.

“Është e qartë se këtu në Maqedoni, një pjesë e madhe e shoqërisë nuk beson se çdo herë gjen trajtim të barabartë para ligjit. Është në interes të kësaj qeverie të njohë shqetësimet dhe kur është e nevojshme të marrë veprime t’i adresojë ato, sepse duke fshehur problemet, nuk i bëjmë ato që të zhduken, por i lëmë që të bëhen më të vështira”.

“Për të lëvizur përpara, të gjithë vendet dhe shoqëritë duhet të flasin drejtë për ndjenjat dhe problemet e tyre, pra duhet të flitet hapur si të rregullohet situata në vendin tuaj. Kjo kërkon po ashtu edhe media të lira që përhapin diversitetin si dhe të flitet për problemet në shoqëri“, ka deklaruar Uollers.

Deklarata e diplomatit amerikan vjen në kohën kur në Maqedoni sërish janë ngritur tensione ndëretnike duke filluar nga procesi arsimor dhe akuzat për diskriminime në baza etnike, proceset e ndryshme gjyqësore, hezitimin e institucioneve të caktuara për zbatimin e dygjuhësisë, e çështje tjera, që vlerësohen si të ndjeshme për raportet ndëretnike në vend.

Njohësit e çështjeve ndëretnike thonë se mesazhi i ambasadorit amerikan duhet kuptuar seriozisht.

Raportet ndëretnike gjithmonë kanë qenë vatër e krizave të ndryshme, andaj është obligim i institucioneve që të punojnë për zgjidhjen e problemeve, e para se gjithash ato në planin ndëretnik, thotë Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike.

“Ky është obligim i shtetit, të ndërtojë bashkëjetesën, e jo të fsheh apo të zvarris zgjidhjen e problemeve. Ata janë zgjedhur për të avancuar shoqërinë pa marr parasysh përkatësinë etnike apo fetare të qytetarëve. Disa herë e kemi thënë se raporteve e mira ndëretnike janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit, dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjithë e jo të vijnë në situatë që këtë t’ia thonë diplomatët perëndimor“, thotë Dimovski.

Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike dhe ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës thotë se mesazhi i ambasadorit amerikan i drejtohet kryesisht partive në pushtet, se politika amerikane nuk pajtohet me qasjen e partive duke shfrytëzuar raportet ndëretnike të tentojnë të fitojnë pikë politike.

“Mendoj se ambasadori Uollers është i qartë, dëshiron që t’ia bëj me dije partive politike në pushtet që të jenë më të kujdesshëm dhe të mos i përdorin marrëdhëniet maqedono-shqiptare për mbetjen e tyre në pushtet, për larje hesapesh, apo për fitim të poenëve politik”.

“Ai nuk po e bën këtë vetëm nga Tetova, këtë e ka bërë edhe nga Shkupi, nga dy-tre vende publike, në prani të ministrave, të zëvendëskryeministrave duke ua bërë qartë me dije se politika amerikane nuk pajtohet me qasjen e tyre ndaj problemeve. Mendoj se kjo është shumë problematike dhe këtë e kupton edhe opinioni publik, por është në dorën e partive politike në pushtet që të zgjohen nga gjumi, nga këto shuplaka të administratës amerikane të cilat po i marrin në kontinuitet“, thotë Sinani.

Ndryshe, përveç nga ambasada amerikane në Shkup, raportet ndëretnike janë gjithashtu pjesë e të gjitha raporteve të progresit të Komisionit Evropian.

Brukseli në vazhdimësi bën thirrje për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si garantuese e paqes dhe e avancimit të drejtave të bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Back to top button