Kolapsi i pritshëm i Rusisë (Një arushë e lënduar)

Ndoshta do të kishte qenë tepër ambicioze të paralajmërohet rënia e dytë e Rusisë. Por hajde të bëhemi pak oportunistë, falë fakteve dhe të mundohemi të analizojmë gjendjen momentale në politikën dhe ekonominë ruse dhe ta krahasojmë atë me politikën dhe ekonominë ruse të viteve ’80. Dy janë momentet historike me të cilat dua të bëj analogji: e para është agresioni ndaj një vendi fqinj dhe intervenimi jo i drejtpërdrejtë amerikan si përgjigje ndaj këtij agresioni, ndërsa e dyta është nafta dhe faktorizimi i saj si shkatërruese e ekonomisë dhe shtetit rus (alias sovjetik).

The Economist ka më shumë se një vjet që flet për intervenimin rus në Ukrainë. Meqë e kam ndjekur me shumë ëndje, dua t’jua jap analistëve të këtij mediumi meritën për parashikimin e këtij intervenimi dhe kësaj krize që po rrezikon botën në shumë mënyra. Në edicionin e fundit jepen shifra të freskëta dhe pikante lidhur me ekonominë ruse. Ajo që duhet të lërë pa gjumë zotin Putin kohëve të fundit është rënia e çmimit të naftës.

Sipas të gjitha prognozave, oferta në tregun ndërkombëtar do të rritet dhe me këtë do të bie edhe më tutje çmimi i naftës. Nëse para disa viteve alarmohej për nivelin e lartë të çmimit të naftës (që arriti në mbi 110$ fuçia) duke e parë këtë gjë si diçka të pakthyeshme pas, sot fuçia e naftës ka rënë në ndër 80$. Për një ekonomi si ajo rusja, që më shumë se dy të tretat e eksportit të vet i realizon nëpërmjet energjisë, kjo gjendje bëhet akoma më alarmante duke patur parasysh se parashikimet afatgjate të stabilitetit të ekonomisë ruse janë bërë me çmime nafte mbi 90$. Ekonomisë ruse i duhet që ky cmim të mbetet mbi 90$ për të evituar recesionin. Ekonomia ruse është në ngërç. Vlera e rublës ka rënë me 23% në tre muajt e fundit. Sanksionet ndërkombëtare gjithashtu po mbjellin frikë në ekonominë ruse, sepse të pakta janë bankat e jashtme që do të kreditonin Rusinë në momentet e saja më të vështira, që priten të vijnë.

Rusia ka rezerva devizore rreth 370 bilion $ dhe kjo mund të japë një margjinë kohore për manovrim për të shpëtuar nga bankroti. Por kriza mund të shpërthejë shumë më përpara sesa parashikojnë ekonomistët. Problemi kryesor është qëndrueshmëria e likuiditetit. Rusia ka një borxh të jashtëm prej 500 bilion $, prej të cilave 130 bilion $ janë të pagueshme deri në fund të vitit 2015. Edhe kompanitë energjetike që tani paraqesin probleme për të mbijetuar. Rosneft, një gjigand energjetik rishtazi kërkoi një hua nga Kremlini në vlerë prej 44 bilion $ të cilën Putini po e reziston. Por për një kompani që punëson 160.000 njerëz dhe që është 70% pronë shtetërore, rezistenca do të jetë afatshkurte. Kreditet e këqija, të nxitura edhe nga rritja e normës nominale të interesit në 9.5% si mbrojtje ndaj humbjes së mëtutjeshme të vlerës së rublës janë në rritje. Ndërkaq bankat vendase po kërkojnë nga banka qendrore të zëvendësojë depozitat në rubla që qytetarët me të drejtë po i shndërrojnë në depozita në dollarë. E gjithë kjo po shterron rezervat e lartpërmendura. Vetëm vitin e fundit janë zvogëluar për 100 bilion $ në tentativat e ngërcura për të shpëtuar rublën. Në realitet, qeveria ruse ka më pak se 270 bilion $ mjete likuide për të përballuar rënien e mëtutjeshme të cmimit të naftës pa bërë shkurtime masive në buxhet. Këto 270 bilion $ janë një shumë më e vogël sesa borxhet e jashtme të skadojnë në dy vitet e ardhshme.

Ajo që është interesante të ceket është që niveli i prodhimit të naftës nuk ka rënë. Përkundrazi mbahet në mbi 10 milion fuçi në ditë. Nëse në vitet ‘80 parashihej shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik si rezultat i rënies së prodhimtarisë së naftës, dorë për dore me rënien e çmimeve të naftës si rezultat i politikave amerikane dhe ndikimit të tyre në OPEC (sidomos me ngritjen e botës arabe si faktor botëror energjetik), kësaj here situata është pak më ndryshe. Ajo që është e njejta është politika e gabuar e jashtme e kulminuar me dy intervenime ushtarake në vende fqinje. Nëse në vitet ‘80 ishte intervenimi i cmendur në Afganistan që përshpejtoi shkatërrimin ekonomik të BRSS-së, kësaj here mund të jetë intervenimi poashtu i cmendur në Ukrainë që mund të sjellë jo fundin e Rusisë, por fundin e Putinit dhe politikave të tija barbare dhe agresive ndaj botës. Duke shtuar në këtë ekuacion intervenimin amerikan dhe rëndesën e sanksioneve ndërkombëtare, vecse i shtohet benzin zjarrit. Ishte armatosja amerikane e muxhahedinëve të Afganistanit në vitet 80 ajo që solli një humbje të turpshme të BRSS dhe shkatërrimit të mitit të pathyeshmërisë ushtarake ruse. Armatosja e Ukrainës me armë amerikane dhe kërcënimet e NATO-s në kufirin polak duhet të arrijnë të njejtin efekt.

Në vitet ‘80 në BRSS niveli i prodhimit u përgjysmua nga 12 milion në 7 milion fuci naftë në ditë. Sot pra ky nivel mbahet në 10 milion. Ajo që është analogjike mes dy periudhave është rënia drastike e cmimit. Sëmundja ruse, ajo e varshmërisë ekstreme të ekonomisë nga nafta dhe derivatet e saj është po ajo e njejta. Ndryshimi qëndron në atë që nëse në shekullin e kaluar shkatërrimi i komunizmit dhe BRSS ishte prioritet i politikës ndërkombëtare, sot shkatërrimi i Rusisë nuk është në interes të askujt. Ndoshta interesi është në eliminim e figurës së Putinit, por jo edhe të shtetit që ai drejton. Një Rusi jostabile do të krijonte një botë jostabile.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button