fbpx

Sarkozy drejt testit të parë për t’u ribërë President

Shpresat e Nicolas Sarkozy për të garuar për një mandat të ri presidencial në vitin 2017, në Francë, do të vihen përballë një testi të parë dhe të vështirë këtë të shtunë, kur anëtarët e partisë së tij konservatore të prekur nga kriza “UMP”, do të votojnë për liderin e ri.

Sarkozy, i cili e ka pritur me padurim këtë moment rikthimi në politikë, që prej humbjes së presidencialeve kundrejt Presidentit aktual socialist të Francës, Francois Hollande, në vitin 2012, është kandidati favorit për të marrë kreun e “UMP”.

Por, ai e di mirë gjithashtu se do t’i duhet një fitore e thellë, në mënyrë që të shmangë rivalët e tij brenda partisë nga kandidimi për ta sfiduar atë në presidencialet e ardhshme.

“Nëse ai merr më pak se 70% të votave brenda partisë, kjo do t’u ofronte një hapësirë shprese kandidatëve të tjerë në UMP”, thotë Jean-Daniel Levy, kreu i anketuesve “Harris Interactive”.

Me pëlqyeshmërinë e Hollande që ka kapur nivelet minimale prej rritjes së taksave dhe dështimit për të zgjidhur problemin e papunësisë, konservatorët opozitarë duken se janë gati të rimarrin pushtetin.

Por, “UMP” është përfshirë prej një kohe të gjatë nga grindjet mes udhëheqësve, ndërsa është vënë edhe nën hetim penal për financimet e pretenduara të parregullta, ndërkohë që disa prej votuesve të djathtë janë joshur nga rikthimi i partisë “Fronti Kombëtar” i ekstremit të djathtë, të udhëhequr prej Marine Le Pen.

Sarkozy, përveç se synon me platformën e djathtë të tij të rrëmbejë votues nga Le Pen dhe të rikthejë partinë e themeluar prej tij 12 vjet më parë, kërkon gjithashtu të sigurojë përkrahjen e votuesve konservatorë, të shqetësuar për “fytyrën” multikulturore të Francës, e cila ka minoritetin më të madh të muslimanëve nga çdo vend tjetër i Bashkimit Europian.

“Të jesh qytetar francez, duhet të përshtateni me mënyrën franceze të jetesës, të pranoni rregullat e Republikës së Francës, si dhe të përqafoni gjuhën dhe kulturën e saj”, tha Sarkozy në një miting në Paris gjatë këtij muaji.

Sarkozy, i cili argumentoi se përpjekja e parë e tij për të përmirësuar ekonominë u godit nga kriza e eurozonës, premtoi se do të shfrytëzojë mandatin e dytë për të ulur shpenzimet publike në mënyrë drastike, si dhe do të ristrukturojë ligjet mbrojtëse të punës, në Francë.

Në një retorikë, që shpesh i ngjan asaj të euroskeptikëve britanikë, 59-vjeçari nxiti Bashkimin Europian t’u kthejë fuqitë bazë qeverive kombëtare dhe, i ndikuar nga presioni i konservatorëve socialë, u angazhua se do të revokojë ligjin e 2013-s që lejon martesat e të njëjtit seks. / Top Channel

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close